ALUIZNI shpërndan 170 leje legalizimi në Lezhë
Në qarkun e Lezhës janë shpërndarë rreth 170 leje legalizimi për objektet informale. Gjatë ditës së djeshme ALUIZNI, ka vazhduar takimet të përcaktuar në kalendar me shpërndarjen e lejeve të legalizimit në qarkun Lezhë, ku i bëhet thirrje 110 objekteve të regjistrohen në hipotekë. Drejtori i përgjithshëm, i ALUIZNI-t, Shaban Memia e ka cilësuar informalitetin tumor, që mban në agoni ekonominë dhe familjet shqiptare.
Qeveria me reformën e ndërmarrë po e ndan përfundimisht Shqipërinë nga kjo agoni dhe po formalizon ekonominë. Reforma është në hapat e saj përfundimtare dhe procesi po ecën me ritme të shpejta, u shpreh ai gjatë këtij takimi. Në qarkun e Lezhës janë deklaruar 10. 900 objekte informale. Janë kryer matjet në terren dhe është bërë azhornimi për 7600 objekte, nga të cilat 5400 objekte janë me dokumentacion teknik të dixhitalizuar, pra është kryer e gjithë procedura ligjore. Janë të gatshme për qytetarët 1600 Leje Legalizimi, të cilët mund ti tërheqin, pasi të kenë shlyer detyrimet për objektin sipas ligjit. Ndërsa për 640 objekte është përfunduar i gjithë procesi dhe po bëhet lëvrimi i lejeve. Qarku Lezhë është një hap përpara me procesin, pasi për 110 objekte në këtë qark është bërë dhe regjistrimi në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive. Në takimin e organizuar kanë marrë pjesë edhe deputetët e PD, Preç Zogaj, Pal Dajçi, Gjok Vuksani dhe deputeti e kreu i Lëvizjes Demokristiane, Nikoll Lesi. Gjithashtu në takim kanë qenë të pranishëm edhe kryebashkiakët e disa bashkive që përfshin qarku Lezhë.