E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Me kartat e identitetit do të çlirojmë Ramën nga certifikatofobia

Kryeministri në Bruksel, pranon se Shqipëria është i vetmi vend me zgjedhje të diskutueshme
Kreu i qeverisë shqiptare konfirmoi se ka gjetur mirëkuptim të plotë për aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE, ndërkohë që deklaroi se qeveria nuk ndërmerr hapa të pa menduar. Kryeministri Berisha në Samitin me drejtuesit e PPE-ve, kërkoi mbështetjen për aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për në BE, për dërgimin e sa më shumë vëzhguesve për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, si dhe për çështje të tjera të rëndësishme për vendin. Unë mund tju them se gjeta mirëkuptim të plotë, sepse unë e kam deklaruar dhe më parë dhe qeveria ime nuk ndërmerr hapa të pa menduar. Por, unë kam qenë dhe  mbetem për përballje me negociata. Në shtëpinë e tjetrit nuk mund të hysh pa trokitur. Ky është një rregull dhe unë them se e kam zhvilluar shumë mirëkuptimin, duke e kompletuar procesin si një proces dhe jo si një moment të menjëhershëm. Temat kryesore, për të cilat kryeministri Berisha foli në samitin e Partive Popullore të djathta evropiane, ku merrnin pjesë homologët Merkel, Karamanlis, presidenti i Komisionit Barrozo, ishin zgjedhjet e qershorit si dhe aplikimi i Shqipërisë në BE. Në lidhje me këtë çështje, kreu i qeverisë sqaroi se procesi do të vazhdojë të bazohet tek negociatat dhe konsultimet. Gjithçka bëhet në ujdi, dhe unë nuk do të bëja një hap pa presidencën çeke. Ajo është normale që konsultohet me të gjitha vendet e tjera. Por, a qëndrojnë zgjedhjet një problem për Shqipërinë? Plotësisht! Dhe unë e pranoj atë dhe Shqipëria duhet të testojë vullnetin e hekurt për zgjedhje të lira dhe të ndershme sepse ka ngelur i vetmi vend me zgjedhje të diskutueshme. Kjo nuk mund të vihet në diskutim tha Berisha. Përsa i përket çështjes tepër të debatuar, atë të zgjedhjeve parlamentare, sipas Berishës Shqipëria do të testojë vullnetin e saj për zgjedhje të lira dhe të ndershme, sepse ka mbetur vetëm me zgjedhje të diskutueshme. "Kjo do të thotë se zgjedhjet do të përmbushin standardet dhe do të vëzhgohen nga qindra e qindra vëzhgues. Unë kërkova që të gjitha vendet të sjellin sa më shumë vëzhgues në zgjedhjet e ardhshme dhe garantova miqtë e mi që zhvillimi më kryesor është të nderojë votën e qytetarëve të mi", vijoi më tej kryeministri Berisha. Sipas tij këto zgjedhje do të zhvillohen  me infrastrukturën më moderne. Katër muaj përpara janë ndarë listat elektronike. Së bashku me një kompani austriake, është bërë pastrimi i të gjitha dublikimeve. Po hiqen certifikatat dhe në këtë mënyrë del zoti Rama nga certifikatofobia. E çlirova dhe nga kjo fobi atë. Tani ka vetëm pasaporta, me të cilat qytetarët shqiptarë udhëtojnë jashtë shtetit dhe me letërnjoftimin elektronike, theksoi ai. Përsa i përket çështjes së kartave të identitetit, kreu i qeverisë theksoi se nuk duhet të vihet në dyshim kapaciteti teknik i kompanisë Sagem dhe përsëriti që çmimet janë tepër të ulëta. Çdo ditë po aplikojnë rreth 13 mijë qytetarë, dhe imagjinoni sa bëjnë në muaj apo në tre muaj që kanë mbetur. Unë jam i sigurt se nuk do të ketë qytetar shqiptar që dëshiron të votojë që nuk do të mund të marrë kartën e identitetit tha Berisha. I pyetur nëse ai vetë e kishte marrë kartën e identitetit kryeministri u shpreh: Unë... sekret. Do ta marr, por ka pasur një vendim që ta marrin njëherë ato që nuk kanë pasaporta se unë vetë kam dashur ta marr që në fillim. Për krizën financiare, temën kryesore të samitit të PPE- së, para atij evropian që zhvillohet në Bruksel, kreu i qeverisë siguroi qytetarët duke cituar artikullin e Financial Times, sipas të cilit Shqipëria dhe Azerbajxhani janë vendet e kontinentit më të mbrojtura nga kjo krizë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›