E Diel, 1 Nëntor 2026

Biberaj: Një anëtar- një votë, shprehje e demokracisë direkte në PD

Deputeti dhe anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj ngre si të domosdoshme çështjen e zgjedhjes së një lidershipi të ri në degën e Partisë Demokratike në Tiranë, nëpërmjet parimit një anëtar një votë. Sipas tij parimi një anëtar një votë është parimi më demokratik, i cili aplikohet si nga Partia Republikane dhe ajo Demokratike në SHBA, por edhe nga të gjitha Partitë Popullore Europiane. Këtë propozim, deputeti Biberaj e ka bërë në radhë të parë duke u nisur jo vetëm nga rëndësia që ka Tirana, por sipas tij edhe me qëllim që të fillojë aplikimi i këtij parimi demokratik, si dhe të implementohet një konkurrencë reale ndërmjet kandidatëve, me qëllim fitoren e më të mirit. Gjatë prononcimit për mediat ai thekson ndër të tjera domosdoshmërinë e përshpejtimit të fushatës së zgjedhjeve të reja partiake në Tiranë, si dhe në degët e tjera të papërfunduara, me qëllim përgatitjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së, por edhe përgatitjen e për zgjedhjet e 28 Qershorit. Sipas tij lidershipi i ri duhet të jetë me autoritet dhe personalitet, me kontribute në PD, si dhe përfaqësues të interesave të demokratëve tiranas, me qëllim që Tirana të garantojë fitoren në zgjedhjet e 28 Qershorit. Tirana, duke qenë kryeqytet, por edhe duke pasur 32 deputetë në Parlamentin e ardhshëm, ka një rëndësi të jashtëzakonshme, pasi përcakton fituesin e zgjedhjeve të 28 qershorit, pra edhe qeverisjen e ardhshme, ka theksuar ai. Aplikimi i këtij qëllimi, sipas deputetit Biberaj do të gjallëronte strukturat e PD-së Tiranë, pasi demokratët e Tiranës do të ndjeheshin të respektuar dhe të motivuar nëpërmjet votimit direkt për lidershipin e tyre, shprehje kjo e demokracisë direkte në  parti. Aplikimi i këtij parimi do të rriste ndjeshëm demokracinë dhe transparencën brenda partisë, do të çlironte shumë energji pozitive, si dhe do të krijonte një klimë bashkëpunimi dhe uniteti, gjë kjo tepër e domosdoshme në prag fushate elektorale, ka theksuar Biberaj. Gjithashtu, gjatë një interviste deputeti Biberaj ka shprehur mendimin e tij se duhet të fillohet me përgatitjet për Kuvendin Kombëtar të PD-së, i cili sipas tij zgjedh edhe organet e reja drejtuese, shpalos platformën elektorale dhe përgatit partinë për zgjedhjet e 28 Qershorit. Kongresi siguron gjithashtu edhe rinovim dhe rrotacion të elitës politike të PD-së, aq i nevojshëm dhe i domosdoshëm për të fituar zgjedhjet e 28 qershorit, pasi një pjesë e elitës politike është konsumuar në mënyrë të pariparueshme, ka theksuar ai ku ndër të tjera ka shtuar se duhet që strukturat e PD-së nga qendra në bazë, të cilat janë në një gjumë të thellë letargjik të zgjohen, dinamizohen, motivohen, dhe orientohen për fitore pasi koha po kalon.  

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›