PLL: Në Kavajë duhet të përzgjidhen 4 personalitete të spikatura
Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, z. Ekrem Spahiu, në kuadrin e takimeve me strukturat drejtuese te degëve të PLL në rrethe, zhvilloi një takim në Kavajë. Kryetari i degës së PLL Kavajë z. Bahri Kollçaku informoi mbi përgatitjet e strukturave të partisë në këtë degë për një përfaqësim sa më të mirë në zgjedhjet parlamentare, i cili ndër të tjera evidentoi edhe bashkëpunimin shumë të mirë të PLL me Partinë Demokratike dhe aleatët e tjerë të koalicionit të djathtë.
Sipas Spahiut, zgjedhjet e 28 qershorit do të jenë zgjedhje me standarde të larta demokratike pasi përveç masave që ka marrë në vazhdimësi qeveria në gjithë përgatitjen e infrastrukturës së duhur zgjedhore, ekziston vullneti politik i saj për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në degën e Kavajës, duhet të përzgjidhen 4 personalitete të spikatura që do të përfaqësojnë rrethin e Kavajës në listën e kandidatëve të PLL për Qarkun e Tiranës, u shpreh Spahiu, i cili kërkoi të punohet me atë pjesë të elektoratit që, pavarësisht arsyeve të tyre, nuk ka marrë pjesë në votime. Sipas Spahiut, ushtrimi i të drejtës së votës është mekanizmi më i mirë dhe i duhur që i jep mundësi çdo qytetari të japë kontributin e vet në zgjidhjen e problemeve që e shqetëson atë.