E Shtunë, 31 Tetor 2026

AMANETI I INDIVIDIT, APO TRASHEGIMIA KULTURORE?

Ditë më parë, plot 23 vjet pas vdekjes së shkrimtarit të madh argjentinas, Jorge Luis Borges, varrosur në Gjenevë më 1986, sipas amanetit të tij ka shpërthyer sërish polemika për kthimin e eshtrave të tij në atdhe; dikur ka qenë ideja e deputetes peroniste, Maria Beatriz Luz, për riatdhesimin e eshtrave të tij, që bëri bujë dhe ndezi debate mes politikanëve dhe intelektualëve argjentinas, ndërsa tani, një projektligj iniciuar nga deputetja e Frontit për Fitore, Beatriz Lenz, mbështetur nga Alejandro Vaccaro, biograf i Borges-it dhe president i Shoqatës Argjentinase të Shkrimtarëve, pasqyron idenë e riatdhesimit dhe kthimit të tij në kupolën e familjes, në Recoleta. Nga ana e saj, vejusha e Borges-it, Maria Kodama, iu përgjigj publikisht kësaj ideje, duke i qëndruar fort vetë vullnetit të Borges-it për t‘u varrosur në Gjenevë, dhe për të cilin do të flasim më poshtë me fjalët: "Në demokraci, askush, i askujt partie, nuk ka të drejtë të ketë trupin e dikujt, që është gjëja më e shenjtë për personin tjetër që ka dhënë dhe po e jep jetën nga dashuria".

Ajo arriti deri aty sa të akuzonte politikën argjentinase dhe vetë biografin e Borges-it, Alejandro Vaccaro-n, "se po rreken të përfitojnë me emrin e Borges-it". E gjithë kjo që po ndodh sot në Argjentinë ka nxjerrë sërish në pah, duke i dhënë një aktualitet të ri, debatin mbi pyetjen: Duhet respektuar vullnetin dhe amanetin e individit, apo, përkundrazi, është e udhës të tejkalohet kjo, për hir të vlerës së tij si pjesë e trashëgimisë kulturore të një vendi? A duhet që trashëgimia kulturore të mjaftohet me veprën e individit, apo është e nevojshme të ketë edhe varrin e tij? Pro-të dhe contra-t janë të panumërta, dhe po ashtu argumentet që i mbështesin, porse, nga i tërë debati, shihet se shkelja e vullnetit të mbramë të individit, në emër të trashëgimisë kulturore të kombeve, duket në një pjesë të mirë të rasteve të jetë një prodhim politik, për qëllime të pastra politike, shpesh në emër të kombit dhe pasurisë së tij kulturore. Po çfarë është trashëgimia kulturore dhe sa e rëndësishme është ajo për vetë jetën e kombeve dhe qëllimet e politikës?

Trashëgimi kulturore thuhet se janë të gjitha të mirat materiale dhe jomateriale të prodhuara nga aktorë të ndryshëm shoqërorë gjatë kohërave; ajo është tërësia e krijimeve të realizuara nga një popull gjatë tërë historisë së tij. Ndonëse trashëgimia kulturore e një kombi, apo pjesë e saj, mund t‘i përkasë për nga vlerat tërë njerëzimit, pikërisht këto krijime, kjo pasuri e krijuar historisë së tij, e dallojnë nga popujt e tjerë dhe i japin kuptim identitetit të tij. Trashëgimia kulturore është një burim njohjeje dhe përbën kujtesën e gjallë të një kombi; njeriu lipset të mbajë marrëdhënie dinamike dhe dialektike me veprat e tij, në mënyrë që të garantojë një lidhje midis të shkuarës dhe të ardhmes dhe ta kthejë traditën në një bazë për krijime të reja dhe të tjera forma jete. Ruajtja e saj, për gjithçka thamë më sipër, dhe jo vetëm për të shpëtuar dëshmitë historike dhe estetike, por edhe si kujtesë, si identitet, si mbështetje e së ardhmes, si vend në botën e madhe, merr një rëndësi të dorës së parë për jetën e një kombi.

Nisur nga kjo, nismat politike të marra në emër të kombit, të pasurisë së tij shpirtërore, dhe për kombin, kanë rezultuar të jenë nga më të suksesshmet në rritjen e kredisë së kapitalit politik - ato zakonisht ndërmerren në kohë krizash, apo pragje fushatash elektorale. Nga ana tjetër, a ka realisht rëndësi që varri i krijuesit të kësaj pasurie kulturore të ndodhet në vendin e origjinës, madje edhe kur ka lënë me amanet që të varroset tjetërkund? Edhe kjo pyetje ka pro-të dhe contra-t e saj. Në varrezën më të famshme të botës në Pere Lachaise, në Paris, tani varreve të Bellini-t dhe Rossini-t u ka mbetur vetëm stela me mbishkrimin, pasi trupat e tyre janë transferuar në Itali, dhe nuk është gjetur ndonjë testament për këtë dëshirë të tyre. Duket sikur pasvdekja e tyre u vendos nga traktate e marrëveshje ndërshtetërore dhe jo nga vullneti i tyre i mbramë; hiri i Maria Callas-it është shpërndarë në Egje, sipas një amaneti të saj fort të dyshimtë, të lënë gojarisht dhe që u zbulua me vonesë, ndërsa varri i saj bosh gjendet në një Columbarium, po në Pere Lachaise...

Shumë më e koklavitur duket të jetë te ne marrëdhënia trashëgimi kulturore-amanet individi-politikë. Dyzetë nga figurat më të shquara të Shqipërisë që jetuan në kohëra të ndryshme, banesën e tyre të fundit e kanë jashtë vendit. Madje, katër nga krerët më të mëdhenj që kanë drejtuar Shqipërinë, si mbreti i Ilirisë, Genti; heroi ynë kombëtar, Skënderbeu; Ali Pashai i Janinës dhe mbreti i Shqipërisë, Zogu I, nuk i kanë eshtrat në Shqipëri. Por kësaj liste i shtohen edhe personalitete të tjera të trashëgimisë sonë kulturore, si Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Ernest Koliqi, Vaso Pasha, Aleksandër Moisiu, Martin Camaj etj.
Dihet se Zogu I vdiq në Paris më 1961, duke lënë si amanet varrimin e tij në tokën amë; asokohe, politika, regjimi i Enver Hoxhës, nuk lejoi të përmbushej amaneti i tij; madje gjer ditën e sotme, ende nuk është përmbushur. Amaneti i diplomatit dhe njërit prej personaliteteve më në zë të kulturës shqiptare, Faik Konicës, i cili vdiq në Amerikë në vitin 1942, u përmbush vetëm pas 63 vitesh, në vitin 1995, pasi regjimi komunist nuk e pranoi. Miku i tij i ngushtë, Fan Noli, u përpoq menjëherë pas vdekjes së Konicës që trupi i tij të kthehej në atdhe, duke e mbajtur atë për 6 vjet në morg, por nuk arriti ta realizojë dot. Krejt ndryshe ndodhi me vetë fatin e pasvdekjes së Fan Nolit, te figura e të cilit politika e Hoxhës u kap fort, si një nga të paktat vlera të trashëgimisë sonë kulturore që u kaloi filtrave të regjimit komunist: trupi i Fan Nolit u kërkua me ngulm nga qeveria e asaj kohe, por vullneti i mbramë i kryepeshkopit dhe i komunitetit të Bostonit, ku meshoi në shqip për herë të parë, ishte të mbetej atje ku u varros më 13 mars 1965, në Forrest Hill Cemetery. Dy vëllezërit Frashëri, Naimi dhe Abdyli, kanë kohë që prehen në Shqipëri; varri i Samiut është ende bosh - Turqia refuzon të kthejë eshtrat e atij me të cilin identifikon dijen dhe kulturën e saj moderne, me gjithë amanetin e Frashërllinjve për t‘u prehur në atdhe. Kërleshja e vlerës kulturore me amanetin njerëzor, me pushtetet e kohërave dhe me vetë kombin tonë, është e hatashme: vite më parë u dhunua ligsht varri i Faik Konicës në Shqipëri.

Shkrimtari L.Stani, në një shkrim të tij thotë: "Këtë instinkt të ulët sjelljeje e pati parandjerë Branko Merxhani, ideologu dhe formuluesi i neoshqiptarizmës, kur pati paralajmëruar se nëse shqiptarët do të vazhdojnë të sillen kështu me inteligjencën e vet, atëherë unë do të zhdukem përgjithmonë nga ky vend dhe shqiptarët s‘do t‘ma dinë kurrë as varrin! Kjo profeci tragjike e Branko Merxhanit u realizua. Edhe sot e kësaj dite ata nuk ia dinë varrin njërës prej mendjeve më të ndritura të tyre". Po le t‘i kthehemi Borges-it të fillimshkrimit. Në Buenos Aires studentët protestojnë kundër qeverisë dhe politikanëve, duke i quajtur ata "nekrofilë" dhe duke hedhur parullat: Lëreni të qetë Borges-in! Mos e prekni Mjeshtrin! Borges-i, që gjithmonë kish pasur një qëndrim tejet kritik ndaj politikës së vendit të tij, u arratis për në Zvicër që të shpëtonte nga akuzat si tradhtar i vendit të tij, por edhe nga rrethimi presionues që i bënte shtypi. Më 6 maj të vitit 1986, disa javë përpara se të vdiste, Borges-i i dërgoi një letër agjencisë së shtypit "Efe", të vetmes me të cilën komunikonte: "Në Gjenevë ndihem misteriozisht i lumtur. Kjo s‘ka asnjë lidhje me paraardhësit e mi dhe me dashurinë thelbësore për atdheun. Më vjen çudi se si njerëzit nuk e kuptojnë dhe nuk e respektojnë vendimin që një individ ka marrë, njëlloj si personazhi i Wells-it, vendosmërinë për të qenë i padukshëm". Borges-i e kish përcaktuar vdekjen si "të vetmen shpresë që i pat mbetur". Letra dërguar agjencisë "Efe" përfundon me fjalët: "Jam njeri i lirë. E kam ndarë mendjen të mbetem në Gjenevë, sepse Gjeneva u takon viteve të mia më të lumtura". Ndërsa, në avant la lettre (në paraletrën) e letrës-testament, Borges-i shkruan: " Buenos Aires-i im vazhdon të jetë ai i kitarave, i milonga-ve, i cisternave të ujit, i patio-ve. Asgjë nga këto nuk ekziston më. Është një qytet i madh si gjithë të tjerët".

Një ditë pranvere në Gjenevë, me mendje te vargu i fundit i poezisë së Borges-it, "Elogio de la sombra", "së shpejti do ta marr vesh se kush jam", mora rrugën për te varri i tij. Varreza kishte lëndina të gjëra plot me bar dhe pemë të larta; kishte një emër të mrekullueshëm: "Varreza e Mbretërve". Dëgjohej kënga e zogjve nëpër degë; pyeta një kopshtar për varrin e tij. Ndërsa kërkoja varrin 735, pothuaj qeshë e bindur se, më në fund, Borges-i e pat marrë vesh se kush qe atë 14 qershor 1986, në orën 7 e 47 minuta, kur ndërroi jetë në adresën 28 Gran Rue... E gjeta varrin e tij në një qoshk të largët; ishte pa zbukurime: një stelë e thjeshtë dhe një rrasë në formë drejtkëndëshi njësh me tokën, përmbi të cilën ndodhej një shportë e madhe xunkthi mbushur me dhe, ku qe mbjellë një si shkurre e vogël me gjethe të vogla të blerta. Varri kishte një kryq të vogël Galez dhe në faqen e brendshme të stelës lexohej: Jorge Luis Borges, dhe poshtë emrit "And ne forhtedon ne", shkrim në anglo-saksonishten e vjetër, së bashku me një vizatim qerthullor ku shfaqeshin shtatë luftëtarë të qëmotshëm dhe vitet 1899-1986.

Borges-i qe i dashuruar me sagat nordike; në volumin "Letërsia gjermanike mesjetare" që botoi, është edhe një poemë epike e shekullit X, me titullin "Balada e Maldon", e cila përshkruan një betejë të ndodhur në lumin Blackwater në Essex, në Angli: Byrhtnoth-i, komandanti i atyre luftëtarëve, u jepte zemër besnikëve të tij; vargu i fundit i poemës shkruhet mbi varrin e Borges-it: "Dhe të mos u dridhej qerpiku". Pelegrinazhet te varri i tij nuk rreshtin. Gjersa njerëzimi të zgjidhë mëdyshjen: respekt ndaj amanetit të individit, apo shkelje e tij për hir të qenies së individit pjesë e trashëgimisë kulturore të një vendi, Borges-i do të vazhdojë të prehet i qetë në "Varrezën e Mbretërve" që zgjodhi vetë, dhe do të presë letra nga gjithë lexuesit e tij nëpër botë. Përpara se të largohesha nga varri i tij, nuk e mposhta dot kureshtinë për të hapur krejt dhe lexuar një pusullkë lënë përmbi rrasën e varrit, që era ma solli gjysmë të hapur m‘u pranë dorës. Lexova: Borges, shihemi në Aleph, a në ndonjë ëndërr tjetër!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›