E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opsionet e Presidentit

Problemi i zbehjes së përkrahjes së opinionit publik për luftërat e Amerikës është një temë e trajtuar në mënyrë gjithëpërfshirëse, që nga lufta e Vietnamit. Diskutimi më i spikatur ishte nevoja për strategjinë e daljes, para hyrjes në luftë, për të bindur opinionin se qeveria e di çfarë është duke bërë dhe se lufta nuk do të jetë e pafund.

Ndoshta më qetësues ishte nocioni i shprehur shpesh se luftërat duhet të jenë të shkurta, ngase demokracitë nuk mund të durojnë luftërat e gjata. Lufta e Kosovës prodhoi një epilog pa viktima dhe forcoi bindjen se SHBA-ja, me aftësitë e veta ushtarake, mund të luftojë me shpejtësi e me sukses, pa i ofruar kështu mundësi opinionit publik për të ndërhyrë.

Megjithatë, Xhorxh Bush përgatiti pak më ndryshe opinionin për të hyrë në luftë. E vërteta pikëlluese është se retorika nga e kaluara dhe krahasimet nuk kanë qenë me vend,kur bëhet fjalë për Afganistanin. Ne nuk kemi hyrë në asnjë luftë me një strategji për të dalë, përveçse nëse si strategji mund të konsiderohet dalja pas arritjes së fitores. SHBA ka dëshmuar se një demokraci mund të udhëheqë një luftë të gjatë (në të vërtetë dy prej tyre e në të njëjtën kohë). Sidoqoftë, arsyeja për këtë nuk është menaxhimi i opinionit publik, por aftësia për të krijuar një ushtri profesioniste me kapacitete të jashtëzakonshme.

Që në fillim, administrata e Barak Obamës ka tentuar të minimizojë debatin publik për luftën në Afganistan dhe së paku për momentin po përpiqet t‘u shmanget të gjitha pengesave, të cilat mund të pengojnë miratimin e propozimit për sistemin e kujdesit shëndetësor. Në vend që të flasë për urgjencën e planit të tij, i cili është shumë më i gjerë se i Bushit dhe parashikon një angazhim shumë më të madh të Amerikës, Obama gjatë pjesës më të madhe të kohës ka folur për kërkesat afatshkurtra, me shpresë se përparimi i hershëm do t‘i mundësojë administratës së tij për të vendosur bazën për sigurimin e më shumë mjeteve vitin e ardhshëm dhe që të ndihmojë në thellimin e përkushtimit dhe të angazhimit të SHBA-së.

Aq më tepër, SHBA ka nënvizuar kërcënimin që paraqet Al Kaeda për sigurinë e brendshme, duke përsëritur se lufta ka shërbyer për mbrojtjen e popullit amerikan nga ky rrezik. Kjo qasje me gjasë do të funksionojë edhe një vit. Ne jemi të prirë - jo gjithmonë- që të dëgjojmë gjeneralët dhe për Presidentin apo Kongresin do të jetë e vështirë të mos i përgjigjen kërkesës për më shumë forca në Afganistan, të bërë nga gjenerali MekKristal. Sidoqoftë, pa marrë parasysh aftësitë bindëse të Presidentit, shtimi i numrit të humbjeve në radhët e amerikanëve, pakënaqësia e aleatëve dhe zgjedhjet jo bindëse presidenciale në Afganistan, po prodhojnë një opinion gjithnjë e më skeptik publik. Kjo tendencë është e qartë, por jo edhe e papërmbajtshme. Shumë gjëra do të varen nga rezultati i përpjekjeve tona. Administrata po përballet me dilemën e sinqeritetit. Prej saj tani po kërkohet të jetë më e qartë: të qartësojë se çfarë synon të bëjë në Afganistan, cilat do të jenë shpenzimet dhe sa do të zgjatë ky mision. Administrata mund të moderojë disi synimet e veta - duke shtuar dyshimin për qasjen e vet fillestare - apo të marrë përsipër një rrezik më të madh politik, duke vënë në dispozicion forca dhe burime shtesë siç po kërkon MekKristal. Pa marrë parasysh rrugën që do të zgjedhë Obama, ecja do të jetë e vështirë dhe përkrahja e opinionit publik për luftën do të vazhdojë të shënojë rënie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›