E Shtunë, 31 Tetor 2026

Problemet e Shqipërisë me bilancin e pagesave

Importet e bollshme të energjisë elektrike gjatë viteve 2007 dhe 2008, si dhe rritja e tepruar e shpenzimeve qeveritare duket se janë shkaqet kryesore që kanë vënë në vështirësi monedhën kombëtare gjatë këtij viti. Sipas të dhënave të KESH, Shqipëria ka shpenzuar afërsisht 350 milionë euro në dy vjet, ndërkohë që ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës e ka detyruar qeverinë të mbajë deficite të larta buxhetore gjatë tre viteve të fundit.

Monedha kombëtare e një vendi zhvlerësohet në rast se flukset hyrëse valutore në atë ekonomi ndërpriten papritur apo vendi përballet me detyrime valutore, të cilat nuk mund t‘i përballojë. Megjithëse shumica e ekspertëve besojnë se Shqipëria nuk gjendet ende përballë një rreziku për krizë të bilancit të pagesave, të gjithë mendojnë se masat për të parandaluar diçka të tillë duhet të merren sa më parë.

Krizat e bilancit të pagesave pasqyrojnë deformime afatgjata të akumuluara nga marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare si investimet e huaja, huamarrja e bizneseve dhe huamarrja e qeverisë. Gjatë muajve të fundit në Europën Lindore janë vërejtur kriza të të gjitha llojeve. Kështu, në Rumani e Hungari, kriza u importua në formën e kredive për bizneset dhe individët. Gjatë viteve të fundit, bankat e vendeve perëndimore, veçanërisht bankat austriake, kredituan në këto vende në valutë para që i kishin sjellë nga vendet e tyre të origjinës. Rumunët apo hungarezët, i përdorën kreditë për të blerë mallra që importoheshin nga vendet perëndimore. Në këto kushte, të dyja vendet iu drejtuan Fondit Monetar Ndërkombëtar për ndihmë për të shmangur rrezikun e një zhvlerësimi masiv të monedhave të tyre. Ndihma e FMN-së kushtëzohet me detyrimin e qeverive për të ulur shpenzimet. Ky në fakt nuk është një shembull i vlefshëm për Shqipërinë, për shkak se asnjë prej bankave që vepron në Shqipëri nuk ka sjellë kapital të huaj për të kredituar në Shqipëri.

Disa vende kanë hyrë në kriza të tilla dhe janë përballur me zhvlerësim të monedhave të veta në rastet kur investitorët e huaj kanë vendosur papritur të tërhiqen prej atij vendi për shkak të rreziqeve që mbart. As ky nuk është rasti i Shqipërisë, për shkak se asnjë investitor i huaj nuk është larguar nga vendi.

Gj. E

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›