Merkel dhe Fischer urojnë Berishën
Kryeministri Berisha ka marrë dje disa mesazhe urimi për rizgjedhjen e tij sërish si Kryeministër i vendit. Suksese në punën e tij Kryeministrit Berisha i ka uruar Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, e cila i kujton Kryeministrit Berisha se është rizgjedhur sërish në këtë detyrë në një periudhë të rëndësishme për vendin tonë. Duke vlerësuar hapin e hedhur nga Shqipëria si anëtare me të drejta të plota në NATO, Merkel në mesazhin e saj thekson se "unë Ju uroj Ju dhe bashkëqytetarëve Tuaj të keni forca të mëtejshme për reformat e nevojshme në funksion të vijimit të suksesshëm të procesit të përafrimit euroatlantik. Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm Shqipërinë në këtë rrugë edhe në të ardhmen". Gjithashtu, Berisha ka marrë mesazhe urimi dje edhe nga Kryeministri i Çekisë, Jan Fischer. Në mesazh thuhet se po përfitoj nga ky rast për të vlerësuar zhvillimin intensiv të marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Republika Çeke ka një interes të lartë në thellimin e marrëdhënieve të dyanshme dhe do të vazhdoj të mbështes përpjekjet e vendit Tuaj në procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimin në BE-në.
E.Gj.
E.Gj.