E Shtunë, 31 Tetor 2026

AMBASADORI I RI-SHBA: Jo vetëm fitues e humbës, duhet dialog

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, i cili do të fillojë shërbimin në muajin shtator, foli para Senatit amerikan mbi objektivat e punës së tij në Tiranë, ku nuk harroi të përmendë edhe ngërçin politik.

ARVIZU NE SENATIN AMERIKAN/ Ambasadori i ri i SHBA, Aleksandër Arvizu ka raportuar dje në Senatin Amerikan për objektivat e punës së tij në Tiranë. Arvizu ka deklaruar se një synim i tij do të jetë një dialog konstruktiv mes palëve. Diplomati i SHBA, i cili do të fillojë detyrën në shtator tha se, zgjedhjet e 28 qershorit u vlerësuan nga vëzhguesit ndërkombëtarë si të tilla që përgjithësisht pasqyronin vullnetin e popullit shqiptar: “Për fat të keq Shqipëria mbetet e mbërthyer në trashëgiminë e politikës, ku ka vetëm të fituar ose vetëm të humbur”

Përpara senatorëve të Komisionit të Jashtëm, ambasadori Arvizu deklaroi se duhet një dialog konstruktim mes palëve. "Një dialog konstruktiv midis palëve është një objektiv afatgjatë dhe do të asistojë Shqipërinë për të lënë talentin dhe shkathtësinë e saj, prej natyre të dalë në ballë", - tha Arvizu. Ai u shpreh se zgjedhjet e 28 qershorit u vlerësuan nga ndërkombëtarët, që përgjithësisht pasqyruan vullnetin e populli shqiptar. Por ai shtoi se fatkeqësisht politika shqiptare është mbërthyer në një trashëgimi mosbesimi. "Për një periudhë të shkurtër para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, u bëmë dëshmitarë të një fryme bashkëpunimi mes partive, por që nuk zgjati shumë. Vëzhguesit objektivë ndërkombëtarë i vlerësuan këto zgjedhje si të tilla, që përgjithësisht pasqyronin vullnetin e popullit shqiptar. Për fat të keq, Shqipëria mbetet e mbërthyer në trashëgiminë e politikës, ku ka vetëm të fituar ose vetëm të humbur dhe ku ka një mosbesim të thellë mes shumicës dhe opozitës", - tha ambasadori. Sipas tij, herë pas here politika shqiptare duket më shumë e interesuar për rivalitetet brenda saj, sesa për mirëqenien e qytetarëve shqiptarë. "Herë pas here duket sikur klasa politike është më e interesuar për rivalitetet brenda saj se sa për mirëqenien e vendit dhe të qytetarëve të zakonshëm", - tha Arvizu. Po ashtu, ai tha në seancë se transformimi i Shqipërisë gjatë 20- vjetëve të fundit mund të quhet dramatik. "Këto ndryshime dhe reforma të tjera të rëndësishme", - tha ai,- bënë që Shqipëria të meritonte anëtarësimin në NATO, më 1 prill 2009. Në të njëjtën kohë i bëri thirrje Shqipërisë të tregojë respekt për sundimin e ligjit dhe për institucionet e pavarura. "Korrupsioni vazhdon të jetë i lartë", - shtoi ambasadori. Gjithsesi, ambasadori i ri shtoi se "për të gjitha këto të meta, Shqipëria është një histori suksesi dhe dëshmi, që angazhimi i fortë i SHBA-së bën një dallim dhe kontribuon për prosperitet", por pa harruar të shtojë se: "Megjithatë, ka shumë për të bërë në Shqipëri. Si aleat i NATO-s, Shqipëria duhet t'i përmbahet parimeve më të larta të Aleancës". Ambasadori Arvizu tha më tej se ekonomikisht Shqipëria ishte një nga vetëm dy vende në Evropë në vitin 2009, ku për të pati rritje ekonomike dhe diçka e tillë është parashikuar edhe për këtë vit. Ai përmendi borxhin e ulët si dhe rritjen e eksporteve shqiptare. Më tej shtoi se Shqipëria ka ndihmuar ndjeshëm në risistemimin e personave të ndaluar në Guantanamo. Sipas tij, Shqipëria është një mbështetëse e fuqishme për integrimin e Ballkanit Perëndimor në komunitetin ndëratlantik, me fushatën e saj diplomatike për të kultivuar marrëdhënie të mira me fqinjët dhe mes fqinjëve të saj, duke përfshirë Serbinë dhe Kosovën. "Shqipëria është një përkrahëse kryesore e politikës së Shteteve të Bashkuara për të shtuar numrin e vendeve që njohin Kosovën", - tha ai. Ambasadori tha se Shqipëria është një kontribuese në sigurinë globale dhe një aleate e besueshme e Shteteve të Bashkuara.. Ai shtoi se kjo dëshmohet nga dislokimi kohët e fundit i 44 trupave luftarake për të luftuar krah për krah me forcat amerikane në Kandahar të Afganistanit. Ky është dislokimi i parë i trupave luftarake nga Shqipëria, që nga Lufta e Dytë Botërore, duke e çuar në rreth 300 numrin e përgjithshëm të ushtarëve shqiptarë, pjesëmarrës në forcën ndërkombëtare në Afganistan. Arvizu tha se Shtetet e Bashkuara kanë një ndikim të konsiderueshëm në Shqipëri. Ai premtoi se nëse konfirmohet nga Senati, do ta shfrytëzojë këtë ndikim me mençuri. Aleksandër Arvizu është diplomat karriere i shërbimit të huaj, në rangun e këshilltarit ministror. Aktualisht, ai është drejtor i Zyrës së Zhvillimit të Karrierës dhe Pozitave në Departamentin Amerikan të Shtetit. Më parë ka qenë zv/ndihmës Sekretar në Zyrën e çështjeve të Azisë Lindore dhe Paqësorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›