E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Obama falënderon me të njëjtin mesazh Berishën e Topin



Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, u ka dërguar një mesazh falenderimi homologut të tij shqiptar, Bamir Topi, si dhe Kryeministrit Sali Berisha. Falenderimi i Presidentit Obama erdhi pasi dy krerët e shtetit shqiptarë i kishin dërguar një mesazh urimi për pavarësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 4 korrik. Mesazhi i Presidenti Obama ishte i njëjtë për të dy krerët e shtetit shqiptar. "Dëshiroj t'ju falënderoj për mesazhin e ngrohtë dhe urimet e përzemërta, në këtë moment kur populli amerikan feston përvjetorin e 234-t të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. Idealet mbi të cilat Amerika ndërtoi demokracinë, lirinë dhe dinjitetin, mbeten po aq të rëndësishme sot, sa ç'ishin edhe në vitin 1776. është në besimin tim, që këto ideale do të përqafohen një ditë nga popujt e të gjithë botës", - thuhet në mesazhin e plotë të Presidentit Obama, drejtuar si Presidentit Topi, ashtu edhe Kryeministrit Berisha, por që njëri mesazh niste "i dashur zoti President", ndërsa në tjetrin "i dashur zoti Kryeministër". Ky mesazh falenderimi i Presidentit Obama erdhi 1 muaj pas festimeve të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat festuan 234 vjetorin e pavarësisë nga Britania e Madhe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›