E Shtunë, 31 Tetor 2026

AMC-ja, aksion në Berat: “Së bashku për një qytet turistik të pastër”



Kompania celulare “AMC”, në kuadër të kontributeve të saj në mjedis, mbështeti projektin e Bashkisë së Beratit "Së bashku për një qytet turistik të pastër". Ky projekt konsistoi në vendosjen e koshave të mbeturinave si dhe synon sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin e komunitetit për kujdesin që gjithsecili duhet të tregojë për trashëgiminë kulturore të këtij qyteti, tashmë pjesë e UNESCO-s. Projekti u çel me vendosjen e koshave dhe një pastrim simbolik të rrugicave të kalasë nga nxënës të shkollës 9-vjeçare "Mangalem". Mungesa e koshave përbënte problem si për banorët, ashtu dhe për vizitorët e shumtë të këtij qyteti muze, duke e kthyer në domosdoshmëri pajisjen e kësaj pjese të rëndësishme të qytetit me kosha. AMC-ja financon projektin e parë në zonën më të re të trashëgimisë kulturore botërore të UNESCO-s, duke besuar që përmirësimi i kushteve mjedisore do të sjellë edhe përmirësimin e jetës së komunitetit të saj. Turizmi dhe evidentimi i vlerave kulturore e muzeale nuk mund të realizohet në një mjedis të ndotur. Prania e koshave jo vetëm do të përmirësojë kushtet për mirëmbajtjen e mjedisit, por do të ndihmojë që kjo qendër të ketë standardet e qendrave të tjera muzeale të UNESCO”-s.

20 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›