Zamir Shtylla komandohet prokuror i thjeshtë në Elbasan
Tiranë - Ish-prokurori i çështjes “Gërdeci”, Zamir Shtylla, u komandua dje si prokuror në Prokurorinë e Elbasanit. Vendimi për Shtyllën u mor dje nga prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama. Kryeprokurorja i komunikoi personalisht vendimin Shtyllës në zyrën e saj. Zamir Shtylla është përfolur jo pak nga media dhe politika për rolin e tij si hetues në të shkuarën. Së fundmi, ai po hetonte për tragjedinë e rëndë të 15 marsit, ku humbën jetën mbi 20 persona dhe u plagosën qindra të tjerë. Ky prokuror dha dorëheqjen disa ditë më parë dhe më datën 16 të këtij muaji Ina Rama pranoi kërkesën për dorëheqjen e tij. Dorëheqja e tij u bë pak ditë para se të hynte në fuqi ligji “Për pastërtinë e zyrtarit” ose i njohur ndryshe si ligji i dosjeve apo lustracionit. Tri ditë më vonë nga dorëheqja e tij, ai është emëruar sërish si prokuror. Ligji i dosjeve, i miratuar nga Kuvendi në muajin dhjetor, synon pastrimin e institucioneve publike nga zyrtarë që kanë qenë të përfshirë në vendimet dhe krimet e komunizmit. Ligji ka hasur në kritika si nga opozita në vend, edhe nga Komisioni Europian. Vendi vakant i Shtyllës në grupin hetimor “Gërdeci” u plotësua kur ai u zëvendësua tri ditë më parë me Sokol Stojanin, një tjetër prokuror i dosjes “Gërdeci”, me një bilanc shumë të suksesshëm në karrierën e tij si prokuror. Stojani njihet si një ndër prokurorët që ka drejtuar disa dosje “të vështira” edhe në të kaluarën, ndërsa në rastin e dosjes “Gërdeci” ai mbulonte pistën e trafikimit të armëve, e cila ka qenë dhe pika më delikate e të gjithë procesit hetimor. Së fundi, Stojani drejtoi edhe hetimin e vdekjes së dëshmitarit kryesor të skandalit të fishekëve të Rinasit, Kosta Trebickës. Zamir Shtylla ishte prej kohësh nën shënjestrën e akuzave publike të politikës. Ai dha dorëheqjen kur në fuqi hyri ligji i lustracionit për zyrtarët shqiptarë. Vetëm në rastin e dosjes “Gërdeci” evidentohen lehtësisht të paktën dy prokurorë që kanë hetuar edhe para viteve ‘90. Janë pikërisht dy prej hetuesve më kryesorë të kësaj dosjeje, të cilët janë thuajse dirigjuesit e hetimit që aktualisht është përqendruar në pistën e trafikimit të armëve. Ky ligj tashmë ka hyrë në fuqi dhe pritet të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa është i paprecedent nëse krahasohet me praktikat e zbatuara në të gjitha vendet ish-komuniste, të cilat e kanë kryer këtë proces një dekadë më parë.
20 Janar 2009