Kriza ekonomike që po kap ngadalë vendin duket se të vetmen pasojë pozitive
Ervin Koçi
Kriza ekonomike që po kap ngadalë vendin duket se të vetmen pasojë pozitive e ka pasur në interesin e bonove të thesarit dhe të obligacioneve të tjera si letra me vlerë, që qeveria nxjerr në shitje. Përveç kësaj, rritje të interesit kanë pasur edhe bonot e privatizimit që qytetarët kanë pasur në shtëpitë e tyre. Kjo lidhet me faktin se intensiteti i privatizimeve që qeveria ka nisur të bëjë edhe këtë vit elektoral, kanë shtuar interesin për grumbullimin e bonove të privatizimit, afati i të cilave është deri në fund të vitit 2010. Gjithashtu, nevoja për të grumbulluar para nga ana e qeverisë shqiptare, ka bërë që kjo e fundit t’i kërkojë Bankës së Shqipërisë që të rrisë interesin e letrave me vlerë. Bonot e thesarit konsiderohen edhe si investimi më i mirë dhe më i sigurt i kursimeve apo i parave për ata që i kanë dhe nuk dinë ku t’i investojnë gjatë kësaj kohe krize financiare. Sipas ekspertëve të bankave, një investim i tillë mbetet më i sigurti dhe më me leverdi për momentin. Interesi i bonove të thesarit në vend është ndjeshëm shumë më lart edhe sesa interesi i depozitave bankare. Kështu, bonot njëvjeçare ofrojnë një kthim 8.5 për qind, ndërkohë që depozitat me afat në të gjitha bankat e nivelit të dytë në vend nuk e kalojnë nivelin e 7 për qindëshit në vit. Në ankandin e fundit interesi i bonove 12-mujore ishte 8.46 për qind, niveli më i lartë që prej fillimit të vitit 2006, ku interesi i bonove ishte 6.47 për qind. Por rritja e interesit të bonove ndikon ndjeshëm edhe në shtrenjtimin e kredisë. Kjo pasi shumica e bankave, interesin e kredive në lekë e vendosin në bazë të interesit të Bonove të Thesarit, plus një përqindje të caktuar nga secila bankë.
Borxhi qeveritar
Megjithëse Banka e Shqipërisë mbetet një nga mbajtëset kryesore të borxhit qeveritar, pjesa tjetër e këtij borxhi kontrollohet nga pak banka të nivelit të dytë, që në raste të caktuara mundohen që të shfaqin ndikimin e tyre në përcaktimin e interesave. Kostoja e borxhit qeveritar ka pësuar një rritje të re gjatë fundit të vitit 2008, periudhë në të cilën bankat ishin më të interesuara për të drejtuar në favor të tyre interesat në rritje. Interesat e borxhit qeveritar i janë ofruar ndjeshëm nivele më të larta të emetuara gjatë viteve të fundit, pavarësisht premtimit të Ministrisë së Financave për një kosto në ulje të borxhit të brendshëm. Gjatë gjithë vitit 2008 Ministria e Financave paraqiti skemën e saj për rritjen e afatit të maturimit të borxhit qeveritar dhe për shtimin e pjesëmarrësve në ankandet e emetimit të bonove të thesarit, që mbeten edhe instrumentet kryesore të marrjes borxh të qeverisë. Por, pavarësisht këtij fakti, kostoja e borxhit qeveritar mbeti sërish e lartë. Niveli prej 8.5 përqindësh i bonove të thesarit, që në dallim nga depozitat e kthejnë interesin që në fillim të periudhës, mbetet tepër i lartë.
Kredia më e shtrenjtë
Një pjesë e bankave të nivelit të dytë dhe e institucioneve të ndryshme financiare e përdorin nivelin e interesave të borxhit qeveritar si interes bazë për të dhënë një kredi. Mbi këtë interes caktohet një shtesë tjetër interesi për riskun që mbart klienti. Kështu, niveli i interesave të borxhit qeveritar është një nga faktorët kryesorë në caktimin e interesave tregtarë të bankave të nivelit të dytë. Një bankë nuk mund të japë kredi me risk poshtë nivelit të interesave që shet qeveria letrat me vlerë, pasi ajo është e lirë në blerjen e këtyre investimeve në treg.
20 Janar 2009