E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku klandestin, operacione në pesë qytete, 14 të arrestuar



Tiranë – Një hetim i Njësisë Antikorrupsion i Prokurorisë së Tiranës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, u finalizua me ndalimin e të 14 personave në 5 qytete të vendit.
Bazuar në informacionet policore, operacioni çoi në shkatërrimin e një organizate që merrej me falsifikimin e dokumenteve dhe trafikimin e klandestinëve, kryesisht përmes Greqisë dhe nga atje në vende të tjera të Bashkimit Europian.
Arrestimet
Burime nga grupi operacional thanë për gazetën “Albania” se në rrejtën policore, si të dyshuar për trafik klandestinësh, gjatë operacionit të koduar “Triumf”, të nisur që në muajin maj të vitit të kaluar, kanë rënë plot 14 persona, ndërsa po punohet edhe për arrestimin e të tjerëve. Të arrestuar janë: Alfred Çikani, Luan Klosi, Ilir Balliu, Dashamir Halilaj, Korab Lama, Ukë Prengezaj, Ardian Berisha, Fatmir Vukaj, Përparim Lama, Thanas Todhri, Astrit Hasa, Ramiz Shahini, Fatmir Tato, Gurali Bardhi.
Sipas uniformave blu, bërthama e organizatës ishte në Tiranë, ku bëhej pajisja e klandestinëve me dokumente false, ndërsa aktiviteti i saj shtrihej edhe në Elbasan, Lushnjë, Fier e Durrës. Sekserë të ndryshëm gjenin klientët dhe më pas kryenin përcjelljen e tyre drejt pikave të kalimit kufitar. Burime zyrtare thanë se operacioni ende nuk ka përfunduar dhe se pritet publikimi i detajeve të tij.
Hetimet
Sipas të dhënave, hetimet kanë nisur që në muajin maj, më parë në qytetin e Korçës, kur një person ka denoncuar në polici sekserin që i kishte marrë paratë, por më pas nuk ka mbajtur fjalën e dhënë. E nga ky kallëzim policia ka mundur të zbulojë një nga rrjetet më të mëdha dhe të fuqishme të trafikut klandestin në Shqipëri. Burime policore deklaruan se, në Tiranë, arrestimet janë bërë në disa zona. Kështu, arrestime janë bërë në zonën e “Zogut të Zi”, Kamzës, Bathores dhe “21 Dhjetorit”. Gjithashtu, arrestime janë bërë në Elbasan, Fier, Durrës dhe Gjirokastër. Në sitën policore kanë kaluar pronarët e disa lokaleve, moteleve, hoteleve dhe bizneseve të tjera, që dyshohet se nën petkun e shërbimeve publike kryenin trafik të vizave në bashkëpunim me individë edhe brenda konsullatave të huaja në Shqipëri.

20 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›