Krimet e Rënda, 31 vite burg dhe miliona lekë gjobë për atë e bir, shfrytëzues prostitucioni
Tiranë – Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi dje me 31 vjet burg dhe 13 milionë lekë gjobë (rreth 110 mijë euro), babë e bir, të akuzuar për trafik prostitucioni. Trupi gjykues i shpalli dy të pandehurit fajtorë, ndërsa dha vendimin përkatësisht me 15 vjet burg dhe 7 milionë lekë gjobë të pandehurin Astrit Pata, ndërsa për djalin e tij, Nelgertin, gjykata dha dënimin me 16 vjet burg dhe 6 milionë lekë gjobë. Sipas hetimeve të prokurorisë, i pandehuri Astrit Pata, në vitin 2004 është njohur me të dëmtuarën Silvana K. dhe i ka premtuar martesë dhe një jetë më të mirë në Greqi. Pasi janë nisur të dy për në vendin helen, sipas akuzës, i pandehuri, nëpërmjet dokumenteve false, e ka dërguar në Norvegji të dëmtuarën, ku e ka pritur i biri, Nelgert Pata. Më pas ky i fundit e ka detyruar të prostituojë, ndërsa i pandehuri Astrit e ka kërcënuar në telefon, duke e urdhëruar që të vepronte siç thoshte i biri i tij.
20 Janar 2009