Prokuroria, më pak zyrtarë në hetim se një vit më parë
Tiranë - Prokuroria e Shqipërisë ka kaluar për gjykim më pak zyrtarë në vitin 2008 krahasuar me një vit më parë, ndërsa pjesa dërrmuese e zyrtarëve të kaluar në hetim bëjnë pjesë në grupin e zyrtarëve të kapur me shkelje nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Ajo që bie në sy është fakti se thuajse të gjithë zyrtarët u përkasin niveleve të dorës së tretë në administratën publike, ndërsa gjithnjë e më pak zyrtarë të lartë po kalojnë në filtrin e organit të akuzës. Abuzimi me postin vazhdon të jetë një nga fenomenet më të përhapura në administratën shqiptare. Ekspertët e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë evidentuar përgjatë vitit 2008 një sërë abuzimesh me fondet e buxhetit të shtetit nga zyrtarët e administratës shtetërore. Për pasojë, KLSH-ja ka dërguar për ndjekje penale mbi 130 prej tyre. Nga kontrollet e ushtruara nga KLSH-ja janë zbuluar parregullsi dhe shkelje financiare në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm efektiv të përgjithshëm në shumën totale prej 1 miliard e 686 milionë e 171 mijë lekë. Ky dëm efektiv i përket veprimtarisë ekonomiko-financiare për periudhën kohore 2005-2007. Në Prokurorinë e Tiranës kanë ardhur gati 30 për qind e këtyre denoncimeve ndërsa për pjesën dërrmuese të zyrtarëve është pushuar çështja.
Kundërshtitë
Për vitin 2008 është shënuar vetëm një rast ku një zyrtar relativisht i lartë është çuar para Drejtësisë si pasojë e hetimeve të pavarura të prokurorisë. Bëhet fjalë për çështjen “Nitromak” ku disa zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes u dhanë licenca në mënyrë korruptive disa firmave për menaxhimin e mallrave ushtarake. Katër persona, dy prej të cilëve funksionarë të Ministrisë së Mbrojtjes, janë vënë në akuzën e korrupsionit pasiv. Hetimet e Njësisë kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit pranë Prokurorisë së Tiranës nisën hetimet në janar të vitit 2008, ndërsa në përfundim të tyre u arrestuan Shkëlzen Madani, 44 vjeç, drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit të Instalimeve dhe të Burimeve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Republikane, si dhe kolonel Kadri Suli, 53 vjeç, ish-komandant i Brigadës Logjistike Nr. 4300, pranë Komandës Mbështetëse të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Po ashtu, si bashkëpunëtorë të tyre, u arrestuan edhe Aurela Çota, 25 vjeçe, përfaqësuese e shoqërisë “Nitromak Albania” sh.p.k., si dhe Ferdinand Hodo, 48 vjeç, administrator i shoqërisë “Geoconsult” sh.p.k.
Kundërshtitë
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm Prokuroria e Tiranës është paditur 212 herë në gjykatë për vitin 2008. Qytetarë, subjekte private, por edhe vetë ministritë, nuk kanë ngurruar të kundërshtojnë vendimet e institucionit të akuzës, duke i cilësuar ato si të padrejta. Për një pjesë prej tyre, gjykata ka dhënë vendimin e saj, por ka dhe plot dosje që janë në fazën e gjykimit. Në këto 212 padi, prokuroria ka ndryshuar rolet duke u kthyer në bankën e të akuzuarve. Duke shfrytëzuar një nga nenet e Kodit të Procedurës Penale, ankuesit i formulojnë paditë me objekt “kundërshtim vendimi i prokurorisë”. Një pjesë e mirë e këtyre kundër-paditësve janë zyrtarë të kaluar për hetim dhe ndjekje penale nga organi i akuzës. Sipas statistikave zyrtare të Gjykatës së Tiranës, nga janari deri në ditët e para të korrikut 2008 janë depozituar 212 padi të kësaj natyre. Në jo pak raste, gjyqtarët penalë të Gjykatës së Tiranës janë të mendimit se prokuroria ka shkelur ligjin. Për një pjesë të mirë të këtyre vendimeve, paditë janë pranuar dhe prokuroria ka nisur betejën gjyqësore për të njëjtën çështje në shkallët e tjera të Gjyqësorit. Mirëpo me gjithë vendimet e gjykatës shumë prej qytetarëve shprehen se nuk arrijnë t’i rikuperojnë pasojat, pasi procese të tilla zgjasin pafundësisht në të trija shkallët e Gjyqësorit.
Përfituan pensione me dokumentacion të falsifikuar, hetim në liri dy personave
Tiranë - Zbulohen edhe dy persona që dyshohet se kanë marrë pensione me dokumente të falsifikuara. Burime nga Policia e Tiranës thanë për gazetën “Albania” se nga Seksioni kundër Krimit-Financiar janë dërguar dy persona në Prokurori për t’u hetuar në gjendje të lirë. Sipas të njëjtave burime bëhet fjalë për Njazi Sherifin, 47 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Ibë, Komuna Bërzhitë, si dhe për Gëzim Saliun, 59 vjeç, lindur dhe banues në Kërrabë, Tiranë. Sipas policisë, ndaj këtyre dy personave është deponuar kallëzim penal nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Tiranë, pasi ata dyshohet se kanë përfituar pension në mënyrë të paligjshme mbi vjetërsinë e punës, duke dorëzuar dokumentacion të falsifikuar për të përfituar pension.
Materialet në ngarkim të tyre i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve”, “shpërdorimit të detyrës” dhe “mashtrimit”.
20 Janar 2009