AMC-ja financon krijimin e një salle ekspozitash në Fakultetin e Gjeologji-Minierave
Është përurua dje në Fakultetin e Gjeologji-Minierave salla e ekspozitave. Kjo sallë është rindërtuar tërësisht dhe i ofron studentëve mundësinë të ekspozojnë punimet e tyre.
Në ceremoninë e përurimit ishin të pranishëm dekani i Fakultetit të Gjeologji-Minierave, Përparim Hoxha, drejtori i përgjithshëm i AMC-së, Stefanos Oktapodas, rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Jorgaq Kaçani, përfaqësues të stafit akademik, si dhe studentë. Gjatë ceremonisë dekani Hoxha falënderoi AMC-në për kontributin dhe mbështetjen që dha në hapjen e kësaj galerie, si dhe ndihmën e vazhdueshme që i ka dhënë Fakultetit të Gjeologji-Minierave. “Ju përshëndes për punën e mirë që keni bërë. Ne si kompani gjermano-greke e vlerësojmë si shumë të rëndësishme mbështetjen e artit dhe arsimit. Me anë të kësaj salle ne duam që studentët të kenë mundësi të ekspozojnë punën dhe arritjet e tyre”,- u shpreh Oktapodas gjatë ceremonisë së përurimit. Përurimin e sallës së ekspozitave e përshëndeti edhe Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Jorgaq Kaçani. Pas ceremonisë së përurimit të pranishmit shprehën interes të veçantë për ekspozitën “Krist-art” me punimet e studentëve të Fakultetit të Gjeologji-Minierave të ekspozuara në galeri. “Krist-art” paraqet aplikacione në artin e mineralogjisë. Punimet e ekspozuara kanë në qendër mineralet, më saktësisht karakteristikat specifike të modeleve, p.sh. formën kristalore, ngjyrën dhe strukturën. Studentët janë frymëzuar nga format e mineraleve dhe i kanë shndërruar në vepra të artit figurativ. Salla e re e ekspozitave është e hapur për bashkëpunime edhe me fakultete të tjera. Kjo galeri do të jetë e përdorshme edhe për të ekspozuar punimet e studentëve nga fakultete të tjera.
3 Qershor 2009