E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama pret kreun e Kasacionit të Italisë, diskutohet për hetimet ndaj shqiptarëve



Tiranë – Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, priti sot në një takim pune kryetarin e Gjykatës së Kasacionit të Italisë, Vinçenzo Karbone. Ai ishte i shoqëruar nga sekretari i Përgjithshëm i këtij institucioni, Sekondo Karmenini dhe zëvendëssekretari i Përgjithshëm Françesko Tireli. Delegacioni i Gjykatës së Kasacionit të Italisë u shoqërua gjatë takimit edhe nga kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj. Mes prokurores së Përgjithshme Ina Rama dhe kryetarit të Gjykatës së Kasacionit të Italisë, Vinçenzo Karbone, u shkëmbyen informacione rreth mënyrës së organizimit dhe funksionimit të dy institucioneve respektive, organit të Prokurorisë dhe Gjykatës së Kasacionit të Italisë. Gjithashtu në takim u diskutua për rëndësinë e njohjes praktikës dhe jurisprudencës të Gjykatës Kasacionit të Italisë, veçanërisht për çështje në të cilat janë përfshirë shtetas shqiptarë. Zyra për shtyp e Prokurorisë së Përgjithshme tha se në takim u vlerësua e rëndësishme njohja e kësaj jurisprudence me qëllim ngritjen e standardit të procesit penal në Republikën e Shqipërisë dhe përqasja me standardet europiane dhe ato të vendosura nga jurisprudenca e Strasburgut. Mes dy palëve u fol gjithashtu për inicimin e një projekti që do të mundësonte njohjen e jurisprudencës së kësaj gjykate në kohë reale dhe të përkthyera në gjuhën shqipe.

Për herë të parë në Shqipëri takimi i Komitetit Rajonal kundër Krimit Ndërkufitar

Vlorë - Zhvillohet në Vlorë takimi i 30-të i Komitetit të Përbashkët të Bashkëpunimit të Qendrës Rajonale të Luftës kundër Krimit Ndërkufitar (SECI). Vendi ynë ka marrë kryesinë e radhës së këtij institucioni dhe në rolin e kryetarit të tij është drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Endri Pema, ndërsa është pjesëmarrës edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi. Takimi i 30-të i Komitetit Drejtues të SECI-t, që zhvillohet në Shqipëri, përkon në të njëjtën kohë edhe me 10-vjetorin e krijimit të SECI-t, Qendrës Rajonale të Luftës kundër Krimit Ndërkufitar. Disa nga temat kryesore të punimeve të këtij komiteti do të jenë prezantimi dhe aprovimi i raportit të aktiviteteve vjetore për vitin 2009, marrëdhëniet mes Europolit dhe SECI/SELEC; zgjedhja e drejtorit dhe nëndrejtorit të SECI-t etj. Qendra SECI, me seli në Bukuresht të Rumanisë, është një organizëm rajonal, i cili bashkon autoritetet policore dhe doganore të 13 vendeve anëtare të Europës Juglindore. Sipas statistikave të këtij organizmi, koha e shkëmbimit të informacionit përmes qendrës është shkurtuar me 80% krahasuar me rastet e marrëveshjeve dypalëshe.

3 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›