E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Financave ul referencat për mallrat nga Kina



Pas gjashtë muajsh negociata me biznesin dhe ankesave të shumta, Ministria e Financave ka pranuar të ulë referencat për kontejnerët nga Kina. Ky dikaster ka udhëzuar këto ditë degët doganore që të aplikojnë çmime reference për kontejnerët nga Kina në vlerë 3 mijë dollarë, nga 4.5 mijë që ishte pak kohë më parë. Që nga muaji dhjetor 2008, bizneset paguanin detyrime mbi referenca të vendosura nga dogana, të cilat nuk përputheshin me realitetin, i cili kishte ndryshuar si pasojë e krizës financiare. Për muaj të tërë, bizneset importuese nga Kina paguanin për çdo kontejner, referencë doganore, rreth 4500 dollarë, kur realisht kostoja ishte 1200 deri 1500 dollarë. Por sipas INSTAT-it, gjatë këtij viti ka vazhduar në mënyrë intensive shkëmbimi i mallrave të vendit tonë me Kinën, çka ka bërë që të shtohet tregtia e jashtme mes të dy vendeve. Sipas INSTAT-it, bëjnë të ditur se tregtia tradicionale me shtetin e madh aziatik ka vazhduar në mënyrë të kënaqshme, duke pasur si objektiv rritjen e importit, por edhe të eksportit. Gjatë muajit mars 2009, nga tregu kinez u importuan në vendin tonë mallra me një vlerë të përgjithshme prej 2,418 miliardë lekë (nga 2,284 miliardë lekë që ishte kjo shifër vitin e kaluar). Ndërsa për të tre muajt e parë të këtij viti nga Kina janë importuar mallra të ndryshme me një vlere prej 6,948 miliardë lekë (nga 6,389 miliardë lekë që ishte kjo shifër vitin e kaluar). Sipas INSTAT, gjatë muajit mars 2009, drejt tregut kinez kanë shkuar mallra të ndryshme shqiptare me një vlere prej 254 milionë lekë (nga 12 milionë lekë vitin e kaluar). Ndërsa për të tre muajt e parë të këtij viti janë eksportuar drejt Kinës mallra me një vlerë prej 415 milion lekë (nga 335 milionë lekë që ishte kjo shifër vitin e kaluar).

3 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›