Ministria e Transporteve i jep zyrtarisht licencën e katërt celulare PTK-së
Qeveria, vetëm disa javë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, ka dhënë një tjetër licencë strategjike, atë të operatorit të katërt celular. Lajmi është publikuar zyrtarisht dje në faqen ueb të MPPTT-së, ku thuhej: “Në vijim të komunikimit të datës 23 prill 2009, ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, informon se më datë 11 maj 2009 i ka kërkuar Këshillit Mbikëqyrës të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të bëjë transparente për publikun, nëpërmjet publikimit në faqen zyrtare të këtij institucioni, në kohë reale, të gjitha komunikimet dhe/apo procedurat eventuale të kryera në lidhje me përgjegjësitë specifike për çështje të Ligjit nr.10 118, datë 23.04.2009, ‘Për dhënien e së drejtës së përdorimit, për 15 vjet, në brezin e frekuencave GSM dhe GSM 1800, bashkimit të ofertuesve, përfaqësuar nga Postë Telekomunikacioni i Kosovës, sh.a., sipas procedurës ‘Tender i hapur ndërkombëtar’, e datës 20.2.2009". Sipas përgjigjes shkresore të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, datë 15.05.2009 dhe sipas njoftimit të bërë publik, në faqen zyrtare të këtij autoriteti, adresa www.ert.gov.al, më datë 01.06.2009, rubrika “Lajmërime”, rezulton se, Bashkimit të Ofertuesve, përfaqësuar nga Postë Telekomunikacioni i Kosovës, sh.a., i është dërguar njoftimi i fituesit për licencën e operatorit të katërt GSM me kusht që brenda 7 ditëve (nga marrja e njoftimit) të likuidojë në llogari të buxhetit të shtetit pagesën në shumën 7.200.000 (shtatë milionë e dyqind mijë) euro. Më tej në njoftimin zyrtar të MPPTT-së thuhej: “Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit për çështje të transparencës së këtij procesi, në mënyrë të veçantë kushteve të parashikuara në nenet 3 dhe 4 të ligjit të sipërpërmendur, ju fton të ndiqni ditët në vijim të gjitha komunikimet eventuale, për këto procedura”.
3 Qershor 2009