AMC-ja shpërndan bursa universitare për më të mirët e Maturës Shtetërore
Kompania e telefonisë celulare “AMC” ka zhvilluar dje ceremoninë e ndarjes së bursave për studentët më të mirë të dalë nga konkurset e Maturës Shtetërore. Në ceremoni morën pjesë drejtori Ekzekutiv i AMC-së, Stefanos Oktapodas, këshilltari i Kryeministrit për Arsimin, Myqerem Tafaj, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Jorgo Kaçani, akademiku Gudar Beqiraj, dekani i Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit, përfaqësues të stafit akademik dhe studentë. Për shtatë vjet me radhë AMC-ja ka mbështetur financiarisht studentët më të mirë që ulen për herë të parë në auditorët e universiteteve më të rëndësishme në vend, ndërkohë që këtë vit mbështetja do të jetë edhe më e gjerë. Për herë të parë këtë vit, 10 studentët fitues do të asistohen me ndihmë financiare edhe në vitet në vazhdim, deri në përfundim të studimeve, kundrejt rezultateve të shkëlqyera gjatë çdo viti akademik. AMC-ja gjithashtu do të krijojë mundësi trajnimi e më pas punësimi pranë kompanisë për këta studentë. Për këtë qëllim 10 studentët më të mirë u përzgjodhën nga degët Inxhinieri Informatike, Telekomunikacion dhe Inxhinieri Elektronike, Ekonomiks, Administrim Biznesi, Financë dhe Juridik. Në fjalën e tij, drejtori Ekzekutiv i AMC-së, Stefanos Oktapodas, pasi përgëzoi studentët për rezultatet e arritura i inkurajoi ata për të vazhduar më tej në rrugën e nisur. “AMC-ja është mjaft e interesuar, - iu drejtua Oktapodas studentëve, - që rezultatet tuaja edhe në vitet në vazhdim të jenë maksimale, pasi në këtë mënyrë krijohen kapacitete elitare që do të vazhdojnë të kontribuojnë në rritjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të kompanive, por edhe për të ardhmen europiane të Shqipërisë”.
Në emër të qeverisë shqiptare, Këshilltari i kryeministrit për Arsimin, Myqerem Tafaj, i ka cilësuar bursat universitare të AMC-së si një përkujdesje serioze dhe konkrete në edukimin e brezave të rinj. Tafaj e përshëndeti nismën e AMC-së, të kthyer tashmë në një traditë, dhe e falënderoi atë për kontributin që kjo kompani jep jo vetëm në arsimin e lartë universitar, por në përmirësimin e cilësisë së arsimit në përgjithësi. AMC-ja mbështet studentët më të mirë në kuadër të përgjegjshmërisë sociale të kompanisë, duke pasur si qëllim përmirësimin e cilësisë së edukimit, nxitjen e arsimit, si dhe krijimin e kapaciteteve njerëzore të qëndrueshme.
Ankandi, BSH-ja hedh në shitje 11.2 miliardë lekë bono thesari
Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, përfundoi dje ankandin e radhës për shitjen e bonove të thesarit. Sipas Departamentit të Operacioneve Monetare pranë kësaj banke, në ankand janë shitur bono me maturim 12 dhe 3-mujor, që do të përdoren për bankat e nivelit të dytë dhe për Bankën e Shqipërisë. Vlera totale e shitur në ankand është 11.2 miliardë lekë. Për bonot me maturim 12-mujor u pranuan të12 kërkesat konkurruese dhe u shitën bono me vlerë 3.980.280.000 lekë. Yield-i maksimal i pranuar është 8.25 për qind, yield-i minimal i pranuar është 7.1 për qind, yield-i mesatar i thjeshtë është 7.05 për qind dhe ai mesatar i ponderuar është 7.00 për qind. Këto bono maturohen më 05.11.2009. Për bonot me maturim 3-mujor u pranuan të 4 kërkesat konkurruese të paraqitura, dhe u shit e gjithë vlera e kërkuar prej 6.559.240.000 lekësh. Ndërkohë që Yield-i maksimal i pranuar është 6.25 p0ër qind, yield-i minimal është 6.15 për qind, ai mesatar i thjeshtë është 6.05 për qind dhe ai mesatar i ponderuar është 6.00 për qind. Këto bono do të maturohen në datën 05.02.2009.
7 Nentor 2008