E Diel, 1 Nëntor 2026

Mustafaj: “Zgjedhjet janë në rrezik nëse PS-ja dhe PD-ja monopolizojnë votat”

Meta: “Nuk do t’i lëmë votat në dorën e Ramës dhe Berishës. Ndoka: “Procesi zgjedhor është vënë seriozisht në rrezik”

Shaban Sulçe

Akuzat ndaj dy partive kryesore, PS-së dhe PD-së, për monopolizimin e procesit të administrimit të zgjedhjeve, kanë ardhur dje edhe nga deputeti i PD-së Besnik Mustafaj. Ky i fundit, i cili është njëkohësisht edhe kandidati për PD-në e Tiranës, u takua me ambasadorin gjerman në Shqipëri, Bernd Borchardt. Në takim, Mustafaj ka shprehur shqetësimin për bashkëpunimin midis PS-së dhe PD-së me qëllimin e vetëm monopolizimin e votave.
Sipas Mustafajt, ligji i ri për Kodin Zgjedhor ngushton mundësinë për konkurrimin e partive joparlamentare si dhe për individët e pavarur. Gjithashtu, Mustafaj vuri në dukje se ky ligj mund ta kryejë funksionin e tij vetëm nëse merr besimin e klasës politike dhe të opinionit publik, ndërsa në rast të kundërt do të rrezikohej standardi i zgjedhjeve. Mustafaj dhe Borchardt diskutuan edhe lidhur me reformën në drejtësi, ku Mustafaj tha se pjesa dërrmuese e deputetëve të Partisë Demokratike janë të vendosur për votimin e një ligji që forcon pavarësinë e institucioneve. Në këtë takim u evidentua edhe ecuria e fushatës zgjedhore për kreun e ri të Partisë Demokratike, për Tiranën, ku ish-ministri i Jashtëm, Mustafaj, e siguroi diplomatin gjerman se ai është i vendosur për të zhvilluar një garë serioze.

Meta

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, konfirmoi vendimin e deputetëve të Grupit Parlamentar E Majta për Integrim, të kreut të PDK-së Ndoka, kreut të LZHK-së Shehi dhe deputetit Ngjela, për të mos u tërhequr nga qëllimi i tyre për të mbrojtur zgjedhjet e lira dhe të ndershme të vitit 2009. Meta konfirmoi futjen në grevë urie të deputetëve në fjalë, por ai nënvizoi gjithashtu se do të përdoret çdo mjet demokratik që numërimi i votave të jetë një proces transparent dhe jo të numërohen nga Rama dhe Berisha. “Mund të ketë edhe grevë urie dhe do të ketë çdo mjet demokratik për të arritur qëllimin tonë kryesor, i cili është që të gjithë qytetarët shqiptarë të shkojnë në zgjedhjet e vitit 2009 me besim se do të jetë vota e tyre ajo që do të përcaktojë të ardhmen e tyre pas 2009-s dhe nuk do të jetë numërimi i çiftit Rama-Berisha”, - tha kryetari i LSI-së, Ilir Meta.

Ndoka
Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, tha se plani i PD-së dhe PS-së për të monopolizuar procesin e administrimit të votës e vë seriozisht në rrezik zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Ndoka tha se greva e urisë do të jetë hapi i fundit, pasi deputetët do të luftojnë me të gjitha format dhe mjetet demokratike. “Këto dy parti politike po përpiqen të kontrollojnë procesin dhe ta manipulojnë atë sipas interesave të tyre. E thënë troç, të luajnë me votën e shqiptarëve. Kjo është e patolerueshme, është një hap regresiv edhe me reformën zgjedhore që ne përgatitëm për zgjedhjet lokale, ku çdo parti parlamentare kishte përfaqësuesin e vet në këto komisione. Tashmë PS dhe PD janë bërë më të vogla pas rezultatit të zgjedhjeve lokale dhe pretendojnë që nga një anëtar komisioni që kishin në ato zgjedhje të kenë dy përfaqësues, dhe përfaqësuesi i tretë të jetë po i tyre, por t’i jepet një partie satelite, e cila sillet rreth tyre. Kjo e minon plotësisht sistemin zgjedhor dhe i vë në rrezik zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Gjithashtu është një tendencë për zhdukjen e pluralizmit. Greva e urisë do të jetë hapi i fundit, askush nuk do të uronte që deputetët e Kuvendit të Shqipërisë të gjenden në grevë urie”, - tha Ndoka.

7 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›