E Hënë, 2 Nëntor 2026

Buxheti 2009, qeveria parashikon mbushjen e deficitit nga taksat e shumta

Taksat do t’i marrin biznesit 50.5 për qind të fitimeve. Të prekur janë edhe qytetarët nga rritja e taksave vendore

Ervin Koçi

Qytetarët shqiptarë pritet që të përballen me një mori taksash të reja gjatë vitit që vjen, pesha specifike e të cilave do të ndihet në mjaft sektorë. Të parët që do të preken nga ato do të jenë biznesi dhe transporti, por nuk do të mbeten pas as buxhetorët, pensionistët, të papunët ose të sapopunësuarit, madje as punonjësit e Drejtësisë. Taksat që do të aplikohen vitin e ardhshëm e që janë parashikuar dhe në projektbuxhetin e vitit 2009 do të vijnë si pasojë e heqjes së një pjese të tarifave dhe taksave doganore si pasojë e marrëveshjeve me BE-në, por edhe për shkakun se qeveria ka thelluar së tepërmi deficitin buxhetor. Norma e taksave ka ardhur në rritje sidomos për biznesin e vogël në vend dhe bashkë me të janë shtuar edhe vështirësi të tjera si caktimi i pagave, çmimeve dhe taksa e sheshtë. Këto, për ekspertët e Bankës Botërore, janë dhe arsyet kryesore të barrës shtesë për biznesin e vogël, që ata i kanë shprehur dhe në raportin e fundit “Si të bësh biznes 2009”. Sipas këtij raporti, taksat që paguan biznesi shqiptar kanë ardhur në rritje gjatë vitit 2008. Raporti i BB-së bën të ditur gjithashtu se kemi një shtim të barrës fiskale gjatë këtij viti. Ky konstatim i bërë nga BB-ja vjen në kundërshtim me deklaratat e qeverisë, që bëjnë të ditur se barra fiskale është ulur. Shkak për rëndimin e barrës fiskale janë bërë masat diskriminuese, ku përfshihen pagat e referencës, caktimi i çmimeve dhe përcaktimi i fitimeve si edhe taksa e sheshtë.

Taksat për biznesin

Sektori që goditet më tepër nga rritja e taksave dhe tatimeve është biznesi dhe kryesisht ai i vogël. Vetëm si Tatim mbi Fitimin biznesi shqiptar paguan 16.7 për qind dhe pagesa ka ardhur në rritje nëse e krahasojmë me vitin 2007. Raporti i BB-së bën të ditur se tatimi mbi fitimin ishte 11.8 për qind gjatë vitit 2007, ndërsa në vitin 2008 është rritur me rreth 5 për qind. Rritja reale e barrës së taksës në një kohë që me vendim qeveria e ka ulur atë në 10 për qind, vjen për shkak të mënyrës fiktive që caktohet kjo taksë. Janë të shumta rastet në rritje, kur tatimet caktojnë me anë të metodave alternative fitimet e kompanive. Një pikë tjetër e dobët e mbledhjes së tatim-fitimit është parapagimi. Kjo taksë caktohet apriori dhe parapaguhet nga ana e biznesit në çdo muaj, duke pritur fundin e vitit për të bërë edhe mbylljen e bilancit. Një shifër e tillë rezulton 12.8 për qind më e lartë krahasuar me vitin 2007 dhe 60 për qind, krahasuar me tre vjet më parë.

Taksat doganore, zero

Taksat doganore për mallrat që vijnë nga Bashkimi Europian do të bëhen zero, duke nisur nga viti 2010, periudhë që përkon me mbylljen e ciklit të reduktimit të taksave me 20 për qind, në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Gjatë miratimit të disa ndryshimeve me ligjin për "Tarifat doganore", ekspertë të Ministrisë së Financave u shprehën se reduktimi i taksave do ta mbyllë ciklin në vitin 2010. Në kuadër të marrëveshjes tregtare (Interim), që vendi ynë ka me Bashkimin Europian, të dyja palët janë zotuar të reduktojnë çdo vit taksat doganore me 20 për qind, për gati 75 për qind të produkteve, deri në bërjen zero të tyre. Synimi i kësaj marrëveshjeje qëndron mbi rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy palëve, rritjen e konkurrencës, por mbi të gjitha vendosjen në provë të vendit tonë ndaj tregut evropian të produkteve, kryesisht bujqësore. Në këtë pikë, nisur nga statistikat zyrtare, duket se Shqipëria nuk ka fituar terren, aq sa priste. Kjo, pasi, përveçse po humbasim të ardhura nga ulja e taksave doganore, deficiti tregtar po vjen e thellohet akoma e më shumë. Për sa i përket projektligjit për tarifat doganore, ndryshimet erdhën si rrjedhojë e rregullimit të nomenklaturës së re të mallrave, i cili kishte mbetur i njëjtë që prej vitit 2007. Kjo vonesë, e pranuar nga vetë ekspertët e Financave në komision, ka sjellë jo pak pasoja për ekonominë shqiptare.

Heqja e taksës doganore, efekti negativ në buxhet, 1.7 miliardë lekë

Të ardhurat nga taksa doganore për vitin 2008 janë parashikuar në 9.4 miliardë lekë, nga 11.1 miliardë lekë të parashikuara për vitin 2007, me një ulje prej 1.6 miliardë. Ulja e të ardhurave nga taksa doganore do të vazhdojë këtë tendencë edhe në vitet në vijim, si rezultat i zbatimit të Marrëveshjes së Ndërmjetme për Tregtinë dhe Çështjet e Lidhura me Tregtinë (MSA) BE-Shqipëri, e zbatimit të marrëveshjes CEFTA dhe MTL me Turqinë, dispozitat e të cilave lidhen me reduktime të konsiderueshme të nivelit të tarifës doganore. Konkretisht, zbatimi i MSA-së pritet të ketë një efekt negativ prej 1.7 miliardë lekësh për vitin 2008, ndërsa efekti negativ i CEFTA është shumë i vogël dhe vlerësohet në 62 milionë lekë. Një pjesë e këtij efekti negativ në të ardhurat doganore parashikohet të neutralizohet nga rritja e volumit të importeve, si pasojë e uljes së tarifave doganore. Në përqindje ndaj PBB-së, të ardhurat nga arrijnë në rreth 0.87 për qind, nga 1.56 për qind që arritën në vitin 2006 dhe 1.13 për qind që janë planifikuar për vitin 2007. Megjithatë, Ministria e Financave shikon efekte pozitive te të ardhurat nga dogana, të cilat do të arrihen falë luftës kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal. Janë rreth 701 produkte bujqësore që do të eksportohen nga BE-ja me tarifë zero doganore drejt vendit tonë, si p.sh. disa lloje mishi, fruta tropikale, vaji, sheqeri, rrepa, kërpudha, orizi dhe disa lloje farëra bimësh, disa lloje duhani etj. Kryesisht janë bërë me tarifë zero, produkte që janë eksportuar me tarifë 2 për qind dhe disa të tjera që kanë pasur tarifë 10 për qind.

Taksat e reja dhe taksat aktuale që rriten

1. Taksa për mjetet me targa të huaja
2. Rritja e taksave për mjetet e përdorura
3. Taksa për ruletat, kazinotë dhe loto-sportet
4. Rritja e taksës së tatim-fitimit
5. Rritja e pagesës së sigurimeve shoqërore
6. Rritja e taksës mbi të ardhurat
7. Rritja e taksës për ndërtimin dhe për banesat
8. Rritja e taksës së sheshtë
9. Taksat për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme
10. Taksa për ambalazhet plastike dhe mjedisin
11. Rritja e taksave lokale dhe te biznesit të vogël
12. Taksa mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme
13. Taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja
14. Taksa për truallin urban
15. Taksa për botimet
16. Taksa për rentën minerare

Mallrat me akcizë, zhdoganimet në shtator u rritën me 15.7 për qind

Importi i mallrave me akcizë në muajin shtator 2008 arriti vlerën 5,350 milion lekë, me një rritje prej 15.7 për qind më shumë krahasuar me një muaj më parë. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave, në total, zhdoganimet e mallrave me akcizë zunë 14.7 për qind ndaj totalit të importit, ku peshën kryesore e zënë nënproduktet e naftës, që llogariten në 74.9 për qind. Akcizat përfaqësojnë tatime me nivele të larta tarifore mbi konsumin e një kategorie të caktuar mallrash dhe aplikohen kryesisht mbi produktet e dëmshme për shëndetin, mallrat që ndotin ambientin si dhe mallrat e luksit. Në grup-artikujt kryesorë të taksueshëm me akcizë, përfshihen nënproduktet e naftës, pijet alkoolike, birra, vera etj, duhani dhe nënproduktet e tij, kafeja, lëngjet e frutave dhe pijet freskuese, si dhe artikujt e kozmetikës, parfumerisë e tualetit.

7 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›