Shtohen fondet për pushtetin vendor në projektbuxhetin e vitit 2009
Fondet për pushtetin vendor në projektbuxhetin e shtetit për vitin 2009 janë shtuar sërish duke u lidhur me një shpërndarje që është bërë sipas zonave elektorale. Në bazë të këtij projektbuxheti, i cili tashmë ka mbërritur në Kuvend dhe do diskutohet në të gjitha komisionet, fondet për pushtetin vendor janë 12 herë më të larta në vitin 2009 në krahasim me vitin 2005. Sipas ekspertëve të Drejtorisë së Programimit të Buxhetit në Ministrinë e Financave, për vitin 2009 fondet janë përqendruar për të përfunduar ato vepra që kanë nisur. "Granti konkurrues do të jetë rreth 10 miliardë lekë, fonde që do të akordohen për pushtetin vendor, kur dihet që fondi për infrastrukturën kombëtare në vitin 2005 ka qenë 6 miliardë lekë",- thanë ekspertët. Sipas tyre, rritja e fondeve ofron mundësi shumë më të mëdha për të modernizuar infrastrukturën vendore dhe për të përmirësuar shërbimin pranë komuniteteve vendore, që do të jetë një nxitje shumë e madhe për intensifikimin e rritjes ekonomike në gjithë territorin e vendit.
7 Nentor 2008