E Shtunë, 31 Tetor 2026

AMC mbështet ngritjen e “Qendrës Kombëtare Mjekësore për Fëmijë”



Kompania AMC prezantoi këtë vit, për herë të parë në Shqipëri, projektin e kontributit nëpërmjet mesazheve, i quajtur “Mesazhe shprese”. Në kuadër të tij, kompania “AMC” i dhuroi fondacionit të fëmijëve shqiptarë, “Domenick Scaglione”, një shumë të konsiderueshme nga të ardhurat e grumbulluara prej SMS-ve të Vitit të Ri. Kontributi i AMC-së do të ndihmojë Fondacionin e Fëmijëve Shqiptarë për ngritjen e “Qendrës Kombëtare Mjekësore për Fëmijë”, misioni i së cilës është trajtimi i fëmijëve me vështirësi në zhvillim, me fokusin te fëmijët që vuajnë nga autizmi dhe çrregullimet e sjelljes. Në ceremoninë e dhurimit morën pjesë: drejtori i Përgjithshëm i AMC-së, Stefanos Oktapodas, si dhe presidentja e Fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë, Liri Berisha, të cilët nënshkruan edhe marrëveshjen e bashkëpunimit. Oktapodas shprehu kënaqësinë e tij dhe të kompanisë që përfaqëson për t’u përfshirë në projekte të tilla kaq të rëndësishme për jetën e fëmijëve me vështirësi zhvillimi. “Është pjesë e filozofisë sonë të biznesit dhe e të gjithë grupit “Cosmote” që të jemi pranë komunitetit. Jemi të lumtur që jemi pjesë në një projekt kaq të rëndësishëm siç është ngritja e këtij spitali dhe jemi të hapur për një bashkëpunim më afatgjatë për ngritjen e qendrës”, - tha ai. Znj. Berisha, pasi falënderoi drejtorin Oktapodas për mbështetjen e vazhdueshme që AMC-ja ka dhënë për Fondacionin e Fëmijëve Shqiptarë, e njohu atë me ecurinë e punës për ngritjen e Qendrës Kombëtare Mjekësore për Fëmijë. “Ngritja e kësaj qendre është edhe sfida e madhe e Fondacionit të Fëmijëve për dy vitet e ardhshme”, - tha znj. Berisha. Shuma e dhuruar u mblodh nga SMS-të që abonentët e AMC-së dërguan nga ora 20:00 e datës 31 dhjetor 2008 deri në orën 08:00 të 1 janarit 2009. Nisma “Mesazh shprese” e AMC-së synoi që urimet e Vitit të Ri t’i shndërrojë në mesazhe për një jetë më të mirë. Abonentët e AMC-së luajtën një rol tepër aktiv në këtë projekt. Ata ndihmuan kompaninë në nismën e saj, duke shkëmbyer me SMS urimet e festave. Nisma “Mesazh shprese” e AMC-së është pjesë e programit të përgjegjësisë sociale të saj, në sektorin e mirëqenies dhe zhvillimit të fëmijëve. Kjo është një nismë e ideuar nga “Cosmote” në Greqi që në vitin 1999. Që prej prezantimit të këtij programi, “Cosmote” ka mbështetur 14 organizata që kujdesen për fëmijët. Kjo nismë është zbatuar edhe në Rumani, nga “Cosmote Rumani”, kompani e grupit “Cosmote”.

19 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›