E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Propozimet tona shpëtojnë zgjedhjet nga dështimi”



Shaban Sulçe

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka publikuar dje propozimet e bëra nga selia rozë për të përshpejtuar ecurinë e procesit të pajisjes së shqiptarëve me karta identiteti. Sipas kryesocialistit Rama, për shkak të paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë së qeverisë, ky proces është në udhëkryq dhe rrezikon seriozisht zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Por Rama theksoi se propozimet e bëra nga Partia Socialiste jo vetëm që do të mundësonin përfundimin e shpejtë të procesit të shpërndarjes së kartave të identitetit, por do të shpëtonin zgjedhjet e 28 qershorit nga dështimi.
“Askush s’mund të mbetet pa votuar pse është i varfër. Ashtu sikundër s’duhet të lejojmë kurrsesi që kjo pjesë e varfër, e cila sot kërcënohet në të drejtën për votim për shkak të varfërisë, të kthehet në një rezervat ku hyjnë në funksionim skema korruptive që deformojnë votimin. Ky propozim konkret është një tjetër shprehje e kontributit tonë të vazhdueshëm që punët e vendit të bëhen më mirë dhe interesi i këtij vendi sot, më shumë se asnjëherë, është të dalë faqebardhë në 28 qershor për të ecur më shpejt në rrugën e Bashkimit Europian”, - tha kreu i PS-së Edi Rama.

Propozimet
Propozimet e Partisë Socialiste për të përshpejtuar pajisjen e shqiptarëve me karta identiteti janë në formën e një projektligji, i cili është depozituar në Kuvend nga deputetët e grupit parlamentar socialist. Sipas kreut të PS-së, Edi Rama, ky është një propozim konkret që socialistët ua paraqesin të gjitha palëve në Kuvendin e Shqipërisë i cili duhet të kthehet sa më shpejt në ligj për të shpëtuar zgjedhjet nga dështimi. Kështu, Partia Socialiste propozon që të gjithë shtetasit pa pasaportë të aplikojnë falas për karta identiteti brenda 28 qershorit, në mënyrë që të kenë mundësi të votojnë. Selia rozë propozon gjithashtu që shtetasit që kanë pasaportë të mos aplikojnë për karta identiteti deri në 28 qershor, duke qenë se kanë mundësi të votojnë në zgjedhje me pasaportë. Në këtë mënyrë, ata do t’u krijojnë më shumë mundësi shtetasve pa pasaportë që të pajisen me kartë identiteti. Gjithashtu selia rozë kërkon në këtë projektligj fillimin e një fushate intensive për sensibilizimin e shqiptarëve që të aplikojnë për karta identiteti.

Replika
I pyetur nga gazetarët se si e komentonte deklaratën e kryeministrit Berisha, i cili tha se kartat falas që u përdorën në zgjedhjet e vitit 1997 u flakën në lumin e Lanës, Rama tha se propozimi i PS-së nuk duhet konsideruar si çështje politike, pro apo kundër, por duhet konsideruar si një mundësi e artë për të shpëtuar procesin zgjedhor. “Unë besoj se nuk është në asnjë mënyrë rasti për ta kthyer propozimin tonë në çështje politike, apo për të bërë politikë me propozimin tonë, qoftë pro apo kundër. Ky është rasti për të qenë të gjithë bashkë, në një mendje, se procesi duhet shpëtuar nga rreziku i qartë i dështimit dhe se këtë proces mund ta shpëtojmë duke u dhënë mundësinë reale të aplikimit të gjithë shtetasve që nuk kanë pasaportë dhe duke mos patur sot kartë identiteti, praktikisht humbasin të drejtën e tyre kushtetuese për votim. Ky propozim vjen në kushtet kur koha po ngushtohet dhe procesi i aplikimeve është shumë i ulët në raport me kohën. Të gjitha të dhënat të bëjnë të besosh se me këtë ecuri jemi duke shkuar në qorrsokak. Këtë qorrsokak ne mund ta shmangim duke nxjerrë nga buxheti i shtetit atë mbështetje që u duhet këtyre njerëzve që të bëjnë aplikimet dhe jo duke i kthyer këta njerëz nesër në pre e skemave korruptive apo në shënjestër të parave që do të hidhen në qarkullim për të blerë votën e tyre. Këtë ne nuk do ta lejojmë!”, - tha kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama.

Propozimet në projektligjin e përgatitur nga PS-ja

Neni 1
Qëllimi i këtij ligji është pajisja me përparësi e një kategorie të caktuar shtetasish me letërnjoftimi elektronik me qëllim bërjen e mundur të ushtrimit të së drejtës së zgjedhjes për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2009.

Neni 2
Objekti i i këtij ligji është përcaktimi i lehtësirave financiare për kategorinë e shtetasve që nuk disponojnë pasaportë të vlefshme, të lëshuar sipas Ligjit Nr.8663, datë 23.11.2000, dhe që më datën 28 qershor 2009 janë mbi ose 18 vjeç.

Neni 3
Shtetasit e përcaktuar në nenin 2 të këtij ligji, nëse aplikojnë deri më datën 10 qershor 2009 për letërnjoftime elektronike, nuk paguajnë tarifën e parashikuar sipas legjislacionit në fuqi. Nëse aplikimi bëhet përtej këtij afati, shtetasi, përveç tarifës së parashikuar për aplikim, do të paguajë edhe një vlerë shtesë, në masën pesëdhjetë për qind të tarifës bazë.

Neni 4
Ngarkohet Këshilli i Ministrave të ndërmarrë një fushatë sensibilizuese reklamash në median elektronike e të shkruar, që synon nxitjen e shtetasve shqiptarë për pajisje me letërnjoftimi elektronik në zbatim të këtij ligji.

Neni 5
Fondet për përballimin e efekteve finananciare të parashikuara në nenin 3 dhe 4 të këtij ligji përballohen nga fondi i kontigjencës të miratuar për Këshillin e Ministrave në buxhetin e vitit 2009.

Neni 6
Ngarkohet Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij ligji.

Neni 7
Ky ligj hyn në fuqi menjëherë.

19 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›