E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti: “Shqipëria, vendi i fundit në Ballkan për strategjinë e turizmit”

Studimi merr në analizë vitin 2008 dhe strategjinë për 2009-n. Shqipëria, nga 600 hotele, vetëm 36 i ka të licencuara

Ervin KOÇI

Shqipëria mbetet vendi i fundit në rajonin e Ballkanit që, megjithëse ka një strategji kombëtare të turizmit, nuk e ka shfrytëzuar si duhet atë dhe nuk i ka dhënë prioritetin e duhur. Këto janë konstatimet që vijnë nga raporti më i fundit i forumit ballkanik të turizmit “Ballkan-Tours”, i cili ka marrë në analizë për vitin 2008-2009 situatën e zhvillimit të turizmit në rajonin e Ballkanit. Sipas këtij studimi të hartuar nga agjencitë e ndryshme turistike të vendeve të rajonit që aderojnë në këtë forum, përfshi edhe ato shqiptare, nga statistikat Shqipëria është vendi i fundit në rajon porsa i përket zhvillimit të turizmit dhe ekonomive të tjera mbështetëse të këtij sektori. Në raport thuhet: “Shqipëria është shteti me zhvillimin më të ngadaltë në sektorin e turizmit ku edhe pse prej dy vjetësh shteti ka përcaktuar një strategji kombëtare, reformat dhe investimet e ndërmarra në këtë sektor, si nga shteti ashtu dhe nga privatët, janë minimale. Vendi është i bazuar kryesisht në infrastrukturën e vjetër turistike të trashëguar nga dy dekadat e fundit, ku kolona kryesore e akomodimit për turizmin janë sistemi i amortizuar hotelier dhe një industri e jo e mirëformuar shërbimesh”. Në strategjinë për turizmin, raporti vë theksin te çështjet më problematike që, sipas tij, për Shqipërinë konsiderohen: “cilësia e keqe dhe siguria e pakët e rrugëve, sëmundjet e shkaktuara nga uji dhe insektet, siguria dhe standardet ushqimore, vëmendja për urgjencën mjekësore, çmilitarizimi i destinacioneve turistike, reduktimi i plehrave në zonat turistike, si dhe menaxhimi i ujërave të zeza”.

Sistemi hotelier

Sipas raportit: “ Në Shqipëri nga 600 hotele në rang vendi, vetëm 36 kanë licencë nga Ministria e Turizmit”. E thënë ndryshe, pjesa e palicencuar, pra 564 hotele, nuk kontrollohet ose nuk njihet nga specialistët e Ministrisë, për rrjedhojë këto njësi mund të luajnë sa të duan me numrin e yjeve që vendosin mbi emrin e hotelit. “Në të gjithë vendin numërohen rreth 900 njësi akomoduese, ku pjesa më e madhe del jashtë kontrollit nga ana e strukturave shtetërore”, - thotë më tej raporti. Kjo bën atë që vendi ynë rezulton më pak i preferuar nga të huajt pasi shërbimi që u ofrohet nuk kontrollet nga strukturat e organizuara shtetërore. Mes ankesave të shumta që raporti paraqet është dhe ai mbi çmimet e larta në hotele dhe shërbimin e dobët të guidave që bëjnë të mundur një tërheqje në shifra të ulëta të të huajve.

Konkluzionet

Ajo që kërkohet nga operatorët turistikë të Ballkanit për të pasur një bashkëpunim më të mirë në sektorin turistik në rajon, me qëllim përballimin e humbjeve që mund t’i vijnë sektorit turistik nga kriza ekonomike botërore, ka qenë harmonizimi i politikave të përbashkëta dhe marrja e masave nga secili shtet. Nga Shqipëria, Forumi ka kërkuar kategorizimin e hoteleve si e vetmja mundësi për të ulur abuzimin te çmimet dhe shërbimin e ofruar, si dhe kontrollimin e paketave turistike dhe mbrojtjen e konsumatorit. “Shumë hotele në rang vendi nuk disponojnë licencën e Ministrisë së Turizmit dhe ky fakt është shqetësues. Ndryshe nga Shqipëria, në Mal të Zi çmimet e hoteleve dhe restoranteve në vendet turistike afishohen në hyrje të hotelit ose publikohen në faqen e internetit”, - thuhet më tej në raport. Aty evidentohet se, “problem për operatorët turistikë është dhe trajtimi i shërbimit të guidave në monumentet e kulturës dhe përreth qyteteve. Në shumë raste, ky shërbim ofrohet nga njerëz aspak të specializuar, të cilët janë banorë që njohin zonën”. Në këtë raport ishin marrë në studim të gjitha shtetet e rajonit të Ballkanit ku vendin e parë e zinte Greqia, e pasuar nga Turqia, Kroacia, Rumania, Mali i Zi, Bullgaria, Sllovenia, Serbia, Maqedonia dhe në fund Shqipëria. Në këtë raport nuk ishin futur vetëm Kosova me Bosnje-Hercegovinën, të konsideruara si dy shtete ende të papërshtatshme për zhvillimin e turizmit.

Shkurt//////////////////////////////////
INSTAT: Indeksi i kushtimit të ndërtimit arriti në 129 për qind në janar 2009

Në tremujorin e katërt 2008, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim rezulton me një rritje në masën 129 për qind, në qoftë se merret si pikë referimi tremujori i katërt i vitit 1999", - njoftoi INSTAT-i. Sipas Institutit të Statistikave, është shënuar një rritje prej vetëm 0.1 përqindësh kundrejt tremujorit të mëparshëm. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim ka shënuar një rritje 1.4 për qind. Një vit më parë, ky ndryshim ishte 1.6 për qind. Kjo reflekton deri diku uljen e çmimeve në shkallë vendi, por edhe në shkallë botërore, të materialeve kryesore të ndërtimit, si rezultat i kërkesës së ulur për banesa e objekte të tjera. Indeksi i çmimeve të grupit "Shpenzime direkte" është rritur 0.2 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm. Brenda këtij grupi, rritje kanë shënuar indekset e nëngrupeve "Shpenzime për paga", prej 1.6 përqindësh dhe "Shpenzime makinerie" prej 0.3 përqindësh. Indeksi i çmimeve të nëngrupit "Shpenzime materiale" ka shënuar një ulje prej 0.2 përqindësh. Brenda tij mund të përmendet ulja e çmimeve të materialeve të ndërtimit prej 0.3 përqindësh. Indekset e çmimeve të materialeve elektrike dhe materialeve hidrosanitare kanë shënuar një rritje përkatësisht prej 3.8 përqindësh dhe 0.2 përqindësh. Në këtë tremujor, krahasuar me tremujorin e mëparshëm, indekset e çmimeve të grupeve të tjera nuk kanë ndryshuar.

19 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›