E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Ekonomisë fton investitorët gjermanë të investojnë në energjetikë

Deri sot është shfrytëzuar vetëm 30-35% e rrjetit hidrik. Gjermania ka dhënë 160 milionë euro për sektorin energjetik

Ervin KOÇI

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, u ka bërë thirrje dje investitorëve gjermanë të vazhdojnë të investojnë në sektorin e energjisë, si një ndër sektorët më atraktivë të vendit. Deklarata u bë gjatë një takimi me drejtues e bankës gjermane “KfW”, e cila ka financuar projekte të rëndësishme në fushën e energjetikës, si linja Elbasan-Podgoricë (Shqipëri-Mali i Zi) etj. “Shqipëria ka një potencial të madh hidro-energjetik, nga i cili deri sot është shfrytëzuar vetëm 30-35 për qind e tij”, - tha ministri Ruli. Ndërsa ambasadori gjerman në Shqipëri, Bern Bohard, nxori në pah bashkëpunimin shumë të mirë mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Shteti gjerman ka dhënë gjatë 20 viteve të fundit për vendin tonë rreth 800 milionë euro financime, nga të cilat 160 për sektorin e energjisë.

HEC-et e vogla

Në kuadër të zhvillimit të sektorit energjetik, Ministra e Ekonomisë do të vazhdojë të mbështesë edhe me anë të legjislacionit investimet për HEC-et e vogla. Sipas ministrit Ruli, vendi ynë ka një rrjet hidrik mjaft të pasur dhe deri tani është shfrytëzuar nga ai vetëm 30 për qind e tij për prodhim të energjisë. Në bazë edhe të nevojave që ka rajoni për energji elektrike, ministri Ruli ka thënë se së shpejti do të përmirësohet fusha ligjoreve e ndërtimit të HEC-ve të vogla, ku përveç zhvillimit të sektorit energjetik, do të ketë edhe përfitime ekonomike. Këtë vit pritet të nisë ndërtimi i hidrocentralit të Ashtës.

HEC-i i Ashtës

Ndërtimi i hidrocentralit të Ashtës është konsideruar si një projekt shumë i rëndësishëm. Sipas ministrit Ruli, deri në vitin 2012, kompania austriake e projektit “Energji Ashta” do të ndërtojë një hidrocentral në veri të Shqipërisë, në afërsi të Shkodrës. Në të ardhmen, 230 milionë kw/orë elektricitet do të prodhohet në Ashtë. Në këtë mënyrë 100 000 familje shqiptare do të furnizohen me energji elektrike. HEC-i i Ashtës do të krijojë dhe vende të reja pune dhe do të japë një frymëmarrje pozitive për rrethin dhe vendin. Ndikimi ambientalist i projektit është thuajse i papërfillshëm, sidomos qëkur HEC-et nuk prodhojnë më mbetje anësore. Në përfundim të 35 viteve periudhë koncesioni, HEC-i do t’i dorëzohet sërish Republikës së Shqipërisë.

19 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›