E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu takon zëvendësministrin e Jashtëm çek, Pojar



Zëvendësministri i Jashtëm çek, Tomas Pojar, gjatë një takimi me ministren e Integrimit, Majlinda Bregu, është shprehur se Çekia po mirëpret aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian, duke ofruar të gjithë mbështetjen e saj. “Çekia që mban tashmë presidencën e radhës së BE-së, jo vetëm e mirëpret aplikimin e shpejtë të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, por ofron gjithë mbështetjen e saj për implementimin e detyrimeve që rrjedhin në këtë etapë të re të procesit”, - është shprehur zëvendësministri i Jashtëm çek, Pojar, gjatë takimit me ministren e Integrimit, Majlinda Bregu. Gjatë fjalës së tij ai gjithashtu ka shtuar se “aplikimi i Shqipërisë nuk varet dhe nuk ka lidhje me aplikimet e vendeve të tjera të rajonit, por vetëm me krijimin e kushteve të favorshme për shqyrtimin e kërkesës për aplikim në një kohë sa me të shpejtë nga Këshilli i Europës”, - është shprehur Pojar. Deklarata e z. Pojar vjen vetëm një ditë pas deklaratës së ministrit të Jashtëm të Çekisë, Karel Shvarzenberg, sipas të cilit Shqipëria mund të aplikojë para zgjedhjeve për statusin e vendit kandidat për në BE, por kërkesa do të shqyrtohet pas zgjedhjeve të 28 qershorit nga Presidenca suedeze e BE-së.

19 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›