E Diel, 1 Nëntor 2026

“ARMO” hedh në treg për herë të parë eurodizelin, cilësia më e mirë se importi



Kompania “ARMO” ka hedhur në tregun vendas, për herë të parë, naftën e cilësisë së mirë, ose ndryshe “eurodizelin”. Rezart Taçi, drejtor i kompanisë “ARMO”, tha dje se “informojmë klientët tanë dhe konsumatorin shqiptar se për herë të parë pas 30 vjetësh kompania arriti të prodhojë eurodizelin e standardeve europiane. Nga analizat e bëra rezulton se eurodizeli i prodhuar në Rafinerinë e Ballshit ka parametra më cilësorë se eurodizeli që importohet aktualisht nga tregjet ndërkombëtare. Ky rezultat është arritur pavarësisht naftës bruto të vendit, e cila ka një nivel shumë të lartë squfuri në përbërjen e tij. Vlen të përmendet se ndryshimin e teknologjisë për prodhimin e kësaj cilësie eurodizeli, kompanive europiane u është dashur rreth 15 vjet, ndërkohë që konsorciumi e realizoi atë vetëm tre muaj nga blerja e kompanisë ‘ARMO’. Ky rezultat u arrit jo vetëm falë investimeve të realizuara nga ana e konsorciumit, por dhe punës inovatore të stafit të inxhinierëve dhe përkushtimit të punonjësve të Rafinerisë së Ballshit. Serioziteti në përmbushjen e këtij detyrimi garanton jo vetëm prodhimin e një nafte eurodizel të cilësisë shumë të lartë, por me kryerjen e investimeve të parashikuara nga kompania do të arrihet dyfishimi i kapaciteteve prodhuese, e cila do të reflektohet drejtpërdrejt në uljen e çmimit, pra dhe në xhepat e konsumatorit”. Ndërkohë, objektivi kryesor i kompanisë është që për një periudhë të shkurtër kohe të arrijë të prodhojë eurodizel deri afër nivelit 0 të përqindjes se squfurit në përbërje të tij. “Kemi kënaqësinë të deklarojmë se kjo nuk është arritje vetëm për kompaninë ‘ARMO’, por edhe për vendin tonë, i cili që nga sot bëhet pjese e familjes europiane për një ambient të pastër dhe energji eficiente”, - tha më tej drejtori Taçi. Për të mundësuar prodhimin e eurodizelit, konsorciumi, “Rafenery Associates of Texas, Anika Enterprises and Mercuria Energy Group”, i cili është edhe pronari i ri i kompanisë “ARMO”, po realizon një investim, që vetëm në dy vitet e para do të arrijë në 100 milionë euro.

19 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›