Meta: “Vonesat për kartat cenojnë standardet e zgjedhjeve”
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, është takuar me delegacionin e OSBE-ODIHR-it ku ka folur për zgjedhjet e 28 qershorit dhe rrezikun që u kanoset këtyre zgjedhjeve si rezultat i ecurisë problematike të procesit të shpërndarjes së kartave të identitetit. Meta fajësoi kryeministrin Berisha, por edhe kreun e PS-së, Edi Rama, si shkaktarë të këtyre vonesave, të cilat po cenojnë rëndë standardet e zgjedhjeve. “Vonesa e jashtëzakonshme që u bë për miratimin e Kodit Zgjedhor, thjesht për interesa të ngushta të lidershipeve të dy partive, ka sjellë tashmë një kolaps përsa i takon pajisjes së qytetarëve shqiptarë me karta identiteti. Koha që ka mbetur në dispozicion është tepër e ngushtë, më pak se dy-tre muaj, ndërkohë që bëhet fjalë për qindra e mijëra shqiptarë, që nuk kanë pasaporta e që duhet të pajisen me karta identiteti. Ne prej muajsh kemi thënë që ky proces i pajisjes së qytetarëve me karta të identitetit rrezikonte të dështonte, atëherë kur të dyja palët thoshin se nuk ka asnjë shqetësim dhe se çdo gjë po shkon mrekulli”, - tha Meta. Ai deklaroi se LSI-ja prej kohësh ka bërë propozime konkrete që do të përshpejtonin pajisjen me karta identiteti të shqiptarëve. “Prej muajsh kemi thënë që zgjidhja është që qeveria të subvencionojë kartat e identitetit për qytetarët shqiptarë, sidomos për ato kategori dhe ato shtresa, të cilat jetojnë në kushte tepër kritike të varfërisë”, - tha Meta.
19 Mars 2009