Berisha i përgjigjet Ramës: “Letërnjoftimet falas u hodhën në Lanë në 1997-n”
Kryeministri Sali Berisha ka përgënjeshtruar dje, gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e qeverisë, deklaratat e opozitës sipas të cilave po dështon procesi i pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime. Berisha, duke iu referuar shifrave, ka vënë në dukje se procesi po ecën me ritme normale. Ai gjithashtu i është përgjigjur dhe deklaratës së kreut të PS-së që letërnjoftimet t’u jepen falas qytetarëve. “Natyrisht, përpjekjet për t’i shndërruar këto në karta votimi, ashtu siç ndodhi në vitin 1997 që u shpërndanë falas dhe shumica e tyre përfunduan në lumin Lanë, janë përpjekje për të bllokuar procesin, janë përpjekje dhe kërkesa se si të zhvlerësosh totalisht procesin dhe t’i shndërrosh këto karta në ato lloj kartash votimi. Por ato nuk janë thjesht karta votimi, por janë letra identiteti, me të cilat, në një të ardhme jo të largët, do të mundet të udhëtohet, sepse janë të pajisura me dy çipe, pra janë të standardeve më të mira”, - është shprehur kryeministri Berisha. Më tej, ai ka dhënë garanci se procesi i pajisjes me karta identiteti dhe pasaporta biometrike ka një ecuri të shkëlqyer dhe do të kompletohet para afatit. “Me gjithë zhurmën e pabazë të opozitës, e cila përpiqet me çdo kusht ta nxijë këtë proces, një nga proceset më të rëndësishme dhe më të suksesshme në historinë e këtij vendi, dokumente të cilat bëjnë që shqiptarët të barazohen me të gjithë qytetarët europianë, pra me gjithë fushatën nxirëse, siç ju e shihni, 277 mijë qytetarët kanë aplikuar për karta identiteti. Nga kontigjenti prej 700 mijë qytetarësh që janë pa pasaporta, kanë mbetur rreth jo më shumë se 400 mijë”, - tha kryeministri. Kryeministri u bëri thirrje qytetarëve që të shkojnë të tërheqin kartat e prodhuara, duke falënderuar dhe përgëzuar 277 mijë qytetarët shqiptarë që kanë aplikuar deri tani. Gjithashtu, kryeministri theksoi se i ka parashtruar një ditë më parë Misionit të ODIHR-it, i cili vizitoi Shqipërinë, që të kërkojë një numër sa më të madh vëzhguesish nga e gjithë bota.
19 Mars 2009