E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobjani: Qeveria të përjashtojë nga taksat veteranët e luftës



Laureta Rryçi

Avokati i Popullit i ka kërkuar në rrugë zyrtare qeverisë që të lehtësojë nga pagesa e taksave disa kategori në nevojë. Kjo iniciativë nga ana e tij është ndërmarrë pas ankesave të shumta të mbërritura kryesisht nga veteranët e luftës. Sipas tyre këtë vit ata po paguajnë edhe taksa që deri më dje iu ishin hequr nga qeveria. Rekomandimi i është drejtuar Ministrit të Financave, Ridvan Bodes që të ndërmarrë nismat e duhura ligjore. Ankuesit kanë shpjeguar se taksa për përdorimin e aparateve televizive të radiotelevizionit publik shqiptar, iu është përfshirë tashmë në mënyrë të detyrueshme në faturën e energjisë elektrike të OSSH-se, ndërkohë që deri vjet konsiderohej si taksë e drejtpërdrejtë dhe kjo kategori përjashtohej nga pagesa e saj.
Verifikimet
Pas verifikimeve të bëra nga komisionerët e Avokatit të Popullit ka rezultuar se Drejtoria e Përgjithshme e OSSH-së kishte përfshirë këtë taksë në faturën e energjisë elektrike, pas urdhrit të lëshuar nga ministri Bode që mbante datën 8.1.2009. Avokati i Popullit ka konstatuar gjithashtu se me urdhrin e fundit të Bodes janë përfshirë për pagesën e taksave kombëtare të gjitha kategoritë duke mos bërë asnjë përjashtim.
Rekomandimi
Dobjani në shkresën e tij zyrtare i ka rekomanduar Bodes që duke qenë se ka hartuar një udhëzim të ri për taksat e drejtpërdrejta e ka për detyrë që të hartojë një tjetër udhëzim që të përcaktojë gjithashtu rastet e përjashtimit të kategorive në nevojë. Sipas Dobjanit legjislacioni në fuqi përcakton Ministrinë e Financave si të vetmin dikaster kompetent për hartimin e udhëzimeve për taksat.

18 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›