E Diel, 1 Nëntor 2026

Milo: Pse dyshojmë te Berisha për manipulimin e zgjedhjeve

Kreu i PDS-së: “Shpresojmë që kryeministri të tërhiqet nga plani i tij, pas presionit ndërkombëtar dhe aksionit të opozitës”. Milo: “Më 25 prill PDS-ja do të shpallë listën zyrtare të kandidaturave të saj për deputetë në zgjedhje”

Luis Tanushi

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, deklaron se opozita ka arsye të forta për të dyshuar te planet e kryeministrit Berisha për manipulimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Milo deklaron se Berisha ka nisur një proces të nëndheshëm të manipulimit të zgjedhjeve, megjithatë ai shprehet i bindur se kryeministri do të tërhiqet nga ky plan, si pasojë e presionit të faktorit ndërkombëtar dhe aksioneve politike të opozitës. Në një intervistë për gazetën “Albania”, Milo ka folur edhe për koalicionin e udhëhequr nga Partia Socialiste, në të cilin do të bëjë pjesë edhe PDS-ja. Milo shprehet se PDS-ja tashmë është e gatshme të hyjë në zgjedhje dhe se më 25 prill do të shpallë listën zyrtare të kandidaturave të saj për zgjedhjet. Ai ka folur gjithashtu edhe për liderin historik të së majtës, Fatos Nano, për të cilin tha se shpresonte në rolin e tij aktiv gjatë fushatës elektorale.

A është gati PDS-ja për zgjedhjet e 28 qershorit?
Partia Demokracia Sociale është në valën e punës për të përballuar zgjedhjet. I tërë aparati është i mobilizuar në funksion të fushatës, të infrastrukturës dhe programit të partisë. Ne jemi në fund të përgatitjes së listave të kandidatëve në çdo qark dhe në fund të përgatitjes së dokumentacionit që kërkohet në bazë të Kodit. Më 25 prill do të bëjmë asamblenë kombëtare, ku do të diskutohet për fushatën dhe kandidaturat për t’u miratuar. Më 10 maj do të kemi kongresin, që do të hapë fushatën në mënyrë zyrtare.

Do të futeni në koalicion me PS-në?
Ne tashmë e kemi zgjedhur që dëshirojmë të jemi në koalicion me PS-në. Kemi bërë një marrëveshje në parim, por shpresoj që gjatë ditëve të ardhshme do ketë edhe një të shkruar se si do të bashkëpunojnë partitë që do të bëjnë pjesë në koalicion.

Do të ketë një tryezë të partive të majta?
Patjetër që do të ketë një tryezë që do të duhet të përcaktojë vijën e parimeve të programit, siglën, gjithnjë duke respektuar Kodin Zgjedhor.

Po për shifra keni folur me PS-në?
Nuk bëhet fjalë për shifra, sepse çdo parti bën listat e veta. Nuk ka një bashkëpunim në këtë pikë se edhe partitë brenda koalicionit do të garojnë me njëra-tjetrën.

Çfarë rezultatesh prisni nga këto zgjedhje?
Asnjë parti nuk futet në garë pa menduar se do të fitojë. Edhe PDS-ja ka objektiva serioze, objektiva për të cilat ne kemi investuar prej vitesh. Kemi investuar më shumë këtë vit. Kemi punuar fort në të gjitha qarqet. Ne sigurisht që jemi të vendosur të sigurojmë një numër të kënaqshëm në Kuvendin e Shqipërisë. Këtë e themi sepse shohim përgatitjen që kemi bërë, shohim mbështetjen që kemi nga njerëzit në terren.

PS-ja ka deklaruar se do të dalë në protesta për të mbrojtur zgjedhjet. Ju do t’i bashkëngjiteni kësaj lëvizjeje?
Unë nuk kam qenë në Kuvend. Do të kem rastin për ta biseduar me kolegët socialistë për të diskutuar se si do të administrohet dhe për të marrë një qëndrim të përbashkët se si do të veprohet për një çështje shumë të rëndësishme, atë të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. Unë gjej rastin të shpreh shqetësimin se si qeveria aktuale po e administron procesin e ndarjes së kartave. Ky proces ka ngjallur dyshime të mëdha jo vetëm te ne, por edhe te partnerët tanë perëndimorë, të cilët po i japin qeverisë aktuale sinjale pakënaqësie në këtë drejtim dhe po i tërheqin vëmendjen që të mos luajë me stabilitetin politik të Shqipërisë, të jetë e vëmendshme, se çdo gjë po monitorohet imtësisht dhe çdo përpjekje për t’u kujtuar shqiptarëve dhe të huajve vitin 1996 nga ana e PD-së do të jetë e dështuar dhe e turpshme. Ata që do të paguajnë do të jenë shqiptarët dhe Shqipëria. Ndërkombëtarët kërkojnë zgjedhje të lira, serioze dhe me standarde tërësisht europiane për të mbyllur përfundimisht këtë kapitull.

A do të futeni në zgjedhje nëse pajisja e qytetarëve me karta nuk do të përmbushet plotësisht?
Është shpejt për të dhënë verdiktin se çfarë do të ndodhë nesër. Ne shpresojmë që duke njohur taktikat manipuluese të z. Berisha, që do të përpiqet deri në maksimumin e kohës së mundur të shfrytëzojë situatën, të bëjë presione dhe të fitojë në mënyrë të padrejtë atë çka mund të fitojë, por në fund, i ndodhur para presionit tonë, të të gjithë shqiptarëve që kërkojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, ai do të cedojë dhe do të vijë atje ku është dashur që të vijë që në fillim të procesit. Por në këtë rast patjetër që do të ketë rrjedhoja për shkak të humbjes së kohës me manovrimet taktike elektorale të z. Berisha. Për shembull, ai, përkundër kërkesave të opozitës për të dhënë karta identiteti falas, vazhdon të bëjë lëvizje taktike demagogjike të pjesshme në adresë të pjesëve të veçanta të elektoratit shqiptar, herë duke u premtuar pensionistëve, herë studentëve dhe herë romëve. Këto lëvizje i bën për dy arsye: e para, këto lëvizje i bën për të treguar se po lëviz dhe po ndihmon popullsinë që të lehtësojë grupimet sociale më në nevojë; e dyta, për të mbuluar atë proces të nëndheshëm të manipulimit të votave përmes kartave të identiteti.

Si e gjykoni vendimin e qeverisë për të aplikuar për statusin e vendit kandidat në datën 28 prill?
Është një kokëfortësi tipike e Berishës, e njohur prej shqiptarëve në shumicën e rasteve si në marrëdhëniet brenda vendit, ashtu dhe me jashtë, që shkon kundër rrymës dhe rezultati ka qene gjithmonë i dëmshëm për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Mesazhet në adresë të Berishës kanë qenë shumë të qarta qoftë nga Brukseli, qoftë nga organizma të tjerë evropianë, që ia kanë bërë të ditur se çdo aplikim para 28 qershorit nuk do të merret në konsideratë. E logjikshme është që aplikimi të kryhet pas zgjedhjeve dhe të shihet nëse Shqipëria me këto zgjedhje e kalon provimin për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Po Berisha është këmbëngulës dhe do të përpiqet deri në fund sepse do që ta përdorë statusin e vendit kandidat si një kartë elektorale të zgjedhjeve. Ai do t’i mashtrojë shqiptarët me këtë kërkesë sikur anëtarësimi i Shqipërisë do të ndodhë ditën e nesërme të zgjedhjeve apo një jave pas tyre. Në një kohë që procesi i anëtarësimit të Shqipërisë është ende i gjatë sepse të marrësh statusin nuk do të thotë se je afër anëtarësimit. Edhe Kroacia, edhe Maqedonia, që kanë statusin e vendit kandidat, kanë vite që presin para dyerve për t’u bërë anëtare të BE-së. Aq më tepër tani që BE-ja ndodhet në një fazë ku zgjerimi është stepur për shkak të problemeve të brendshme, ku ndër të tjera, popujt e BE-së në këto momente krize nuk janë të gatshëm të pranojnë shtete të tjera.

Mendoni se e majta ka nevojë për figura të “vjetra” si Nano?

E majta ka mjaft figura me përvojë politike dhe të çmuara. Nano është një prej tyre dhe është e dobishme nëse ai me përgjegjësinë e themeluesit të PS-së do të bëhet pjesë e fushatës së ardhshme elektorale. Askush nuk ka vënë në dyshim vlerat e tij pozitive, pavarësisht se edhe ai ka pasur gabimet dhe përgjegjësitë e tij në të kaluarën. Mendoj se do të ishte një konfirmim tjetër i zgjuarsisë së tij politike që ai, në një moment të caktuar, të bëhej pjesë e fushatës së koalicionit tonë. Nuk jam dakord as me ftesat provokative që i bëhen zotit Nano apo edhe për ta ndërsyer atë me qëllim që të trazohen ujërat brenda PS-së. Nano është natyrshëm një pjesë e ekipit që do ta udhëheqë fushatën e PS-së, në mos drejtpërsëdrejti, mund ta ndihmojë edhe me frymën që mund të krijojë një dalje apo një deklaratë në një moment të caktuar.

18 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›