E Diel, 1 Nëntor 2026

Shehu: “Opozita ka bllokuar komisionin Ad-hoc për zgjedhjet”



Deputeti i maxhorancës, Tritan Shehu, tha dje se qëndrimi i fundit i opozitës ndaj pajisjes së shtetasve me karta identiteti synon të krijojë tensione artificiale dhe ta sabotojë këtë proces. Në cilësinë e përfaqësuesit të PD-së në komisionin Ad-hoc për përgatitjen e zgjedhjeve, Shehu tha se komisioni nuk po mblidhet sipas parashikimit, pasi opozita nuk është paraqitur. “Komisioni nuk është mbledhur as dje dhe as sot, pasi përfaqësuesit socialistë nuk na kanë dhënë përgjigje. Ministria e Brendshme i ka dërguar komisionit të gjitha materialet dhe përgjigjet e kërkuara nga kolegët lidhur me situatën në përgatitjen e dokumenteve të identifikimit, por nga e PS-së ka pasur heshtje. Kjo synon të sabotojë dhe të bllokojë procesin”,- tha deputeti Shehu. Sipas tij, “qëndrimi absurd dhe jorealist i opozitës nuk është përmirësimi i shpërndarjes së kartave, por bllokimi i Parlamentit dhe krijimi i tensioneve artificiale, për procese që në fakt po ecin normalisht”. Një ditë më parë deputetët socialistë braktisën punimet e Parlamentit duke këmbëngulur në kërkesën e tyre për pajisjen e shtetasve me karta identiteti falas.

Patozi: “Braktisja e Parlamentit, spekulim politik ndaj hetimit të lejeve të ndërtimit”

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, reagoi dje pas braktisjes së Parlamentit nga ana e opozitës duke e konsideruar këtë veprim një pretekst për të mos pranuar një proces zgjedhor që po ecën normalisht. “Socialistët, të ndodhur përballë vetmisë së kryetarit të tyre, vazhdojnë me përrallat e kartave të identitetit duke gjetur pretekste për të mos pranuar një proces që po ecën normalisht, brenda të gjitha parashikimeve. Qëndrimi i tyre është spekulim politik para një nisme të maxhorancës për të hetuar mbi lejet e ndërtimit që kryetari i tyre u jep ortakëve të tij”, - është shprehur Patozi. Këto deklarata nënkryetari i PD-së i bëri gjatë takimeve elektorale në disa komuna të Vlorës: në Novoselë, në Babicë të Madhe të Komunës Qendër dhe në Llakatund të Komunës Shushicë. Në takimet me banorët e këtyre zonave Patozi deklaroi se sot, Shqipëria, ashtu si Partia Demokratike premtoi në 2005-n, është anëtare me të drejta të plota në NATO. Patozi tha se në prill ka hyrë në fuqi edhe Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, Shqipëri-Bashkimi Europian, ku vendi kalon në një marrëdhënie më të avancuar me BE-në dhe se në mandatin e dytë qeverisës me demokratët, shqiptarët do të lëvizin pa viza.

18 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›