INSTAT konfuz me shifrat, statistikat zmadhohen dhe zvogëlon sipas qejfit
Ervin KOÇI
Instituti i Statistikave është kapur kohët e fundit nga një rrëmujë shifrash të cilat herë pas here kundërshtojnë njëra tjetrën. Për të disatën herë resht INSTAT-i ka publikuar shifra të cilat i referohen institucioneve të caktuara shtetërore dhe që japin realizime mjaftë pozitive për të ardhurat, punësimin, apo rritjen ekonomike. Por në ndryshim nga shifrat zyrtare të INSTAT-it ato reale dhe zyrtare njëkohësisht të vet institucioneve shtetërore flasin shpeshherë për mosrakordim me të dhënat që jep institucioni që duhet të saktësojë çdo statistikë. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe me të dhënat referuar Administratës Doganore, për të cilën INSTAT ndryshe nga realiteti ka pasqyruar një bilanc shifrash me arritje. Por si për hironi vetëm pak ditë më parë drejtori i Doganave, Përparim Dervishi, u shkarkuar nga detyra pikërisht për mosrealizimin e të ardhurave të cilat INSTAT-i dje i pasqyronte në rritej. Sipas INSTAT-it, “në muajin shkurt të 2009, importi i mallrave me akcizë arriti vlerën e 3.046 miliard lekë, duke zënë 9,1 për qind ndaj totalit të importit. Në krahasim me muajin janar të 2009, importi i mallrave me akcizë ka pasur rritje prej 1,9 për qind, ku peshën më të madhe të këtyre mallrave e kane zënë nënproduktet e naftës (62.8 për qind)”. Ndërkohë nga vet zëvendësministri i Financave, Florian Mima, është pranuar performanca e ulët në mbledhjen e të ardhurave dhe në zhdoganimin e mallrave të forta, pra mallrave të akcizës.
Kontradiktat e INSTAT-it
“Ekonomia shqiptare u rrit me 2.5 për qind gjatë 3-mujorit të fundit të vitit 2008, krahasuar me 3-mujorin paraardhës”,- bëri të ditur INSTAT-i. Krahasuar me 3-mujorin e fundit ‘07, rritja ekonomike ishte 8.6 për qind. Të dyja shifrat janë paraprake dhe pasqyrojnë ato të dhëna të furnizuara nga institucione të ndryshme shtetërore tek INSTAT deri më 31 mars. Shifrat e mësipërme pritet të revizionohen në muajt në vijim me plotësimin dhe saktësimin e të dhënave. Një rishikim i tillë solli edhe ftohjen e "rritjes ekonomike dyshifrore" të reklamuar me bollëk nga politika gjatë muajve të fundit. Në dhjetor, INSTAT njoftoi rritje ekonomike vjetore në masën 9.9 për qind, shifër e vlefshme për periudhën shtator ‘07 – shtator ‘08. Por pas plotësimit të të dhënave, rritja ekonomike për këtë periudhë u reduktua në 7.3 për qind. Në rishikim është edhe rritja ekonomike e vitit 2007. Vlerësimi paraprak fliste për rritje ekonomike 6.2 për qind, ndërsa vlerësimi i fundit e nxjerr rritjen 5.3 për qind. Rritja ekonomike gjatë vitit të kaluar është furnizuar nga rritja e shërbimeve të tjera, ku hyn sektori bankar dhe shërbimet për bizneset, nga rritja e vrullshme e telekomunikacionit, si dhe nga sektori i ndërtimit.
Metodologjia
Prodhimi i brendshëm bruto në Shqipëri matet me metodën e prodhimit dhe nënkupton matjen e vlerës së shtuar të mallrave dhe shërbimeve të qarkulluara në ekonomi. Vlerësimi i rritjes ekonomike 3-mujore ka filluar vetëm gjatë kohëve të fundit. Publikimi i dy ditëve më parë është i dyti i këtij lloji, në një kohë që ekspertët e INSTAT-it mund të përballen me vonesën e dorëzimit të të dhënave. Të dhënat e PBB-së rishikohen tri herë duke u shtuar me të dhëna më të sakta që vijnë me vonesë. Rritja ekonomike vjetore përfundimtare, del vetëm 29 muaj pas mbylljes së vitit. Rivlerësimet e kryera për këtë tregues gjatë viteve të shkuara kanë treguar diferenca të mëdha deri në plus minus 3 për qind nga vlerësimi fillestar.
Arsyet politike
Treguesi i rritjes ekonomike ka tërhequr që prej shumë kohësh vëmendjen e politikanëve, të cilët zakonisht vënë në dyshim konkluzionet e INSTAT-it. "Ka qenë bindja ime absolute se ka një nënvlerësim të rritjes ekonomike në Shqipëri. Unë kam shumë fakte për të numëruar për sa i përket këtij nënvlerësimi",- deklaroi disa kohë më parë Kryeministri, Sali Berisha. "Unë nuk kam qenë dakord as për rritjen ekonomike të vitit 2007", vijoi ai. Pavarësisht nëse është dakord apo jo Kryeministri, rritja ekonomike e vitit 2007 rezulton vetëm 5.3 për qind, gjë që nuk kishte se si të ndodhte ndryshe për shkak të krizës së madhe energjetike që zuri vendin atë vit, krizë që u pasqyrua edhe në sektorin e bujqësisë. Publikimi i ardhshëm i PBB-së 3-mujore pritet të bëhet në datën 30 qershor, kur do të paraqitet vlerësimi paraprak për ecurinë e ekonomisë gjatë 3-mujorit të parë të vitit 2009.
18 Prill 2009