E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-ja, kërkesë me 40 firma për hetimin e Ramës



Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike, Ferdinand Xhaferraj, depozitoi dje në Kuvend kërkesën e Grupit Parlamentar të PD-së për ngritjen e një komisioni hetimor për hetimin e procedurave të ndjekura nga kryetari i Bashkisë së Tiranës për dhënien e lejeve të ndërtimit. Kërkesa e PD-së është firmosur nga 40 deputetë të kësaj partie, por edhe të partive aleate. Kjo kërkesë synon hetimin e dhënies së lejeve të ndërtimit nga Edi Rama, pasi PD-ja pretendon se kreu i Bashkisë së Tiranës ka abuzuar me këtë kompetencë. Ngritja e komisionit pritet të miratohet gjatë seancës parlamentare të ditës së enjte. Komisioni do të përbëhet nga 9 anëtarë, 5 të maxhorancës dhe 4 të opozitës, ndërkohë që kryetari i komisionit do të jetë nga PD-ja, ndërsa nënkryetari nga PS-ja. Pritet që ky komision të miratohet pavarësisht se Kuvendi ndodhet në ditët e fundit të punimeve të tij. Gjatë ditës së djeshme për këtë kërkesë të PD-së kanë reaguar përfaqësues të PS-së dhe të Bashkisë së Tiranës. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Erion Braçe, është shprehur se ky komision nuk mund të grihet sepse Kuvendi do të mbyllë punimet për shkak të zgjedhjeve. Ndërsa nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, e ka cilësuar këtë nismë një pazar të ulët të politikës së vjetër.
Qëndrimi
Pas depozitimit të kësaj kërkese, deputeti i PD-së, Xhaferraj, bëri të ditur për mediat objektivin e këtij hetimi. “Komisioni do të hetojë procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit në mënyrë krejtësisht abuzive, klienteliste e në konflikt interesi në Bashkinë e Tiranës, duke krijuar një kartel të paligjshëm ndërtimi, bllokimin dhe mosdërgimin e Planit të ri Rregullues të Bashkisë së Tiranës për miratim, sipas ligjit, dhe abuzimet me dhënien e lejeve të ndërtimit në mungesë të këtij plani rregullues”, - është shprehur Xhaferraj, i cili bëri të ditur se hetimi do të përfshijë dhënien e lejeve të ndërtimit nga viti 2007 e deri tani. Kjo është e dyta herë që për kryetarin e Bashkisë së Tiranës kërkohet një hetim parlamentar nga Partia Demokratike. Në vitin 2003, kryebashkiaku u hetua nga një komision hetimor i kryesuar nga Sokol Olldashi, me akuzën për shpërdorime me detyrën dhe fondet publike.
Reagimi
“Siç e kanë zakon përpara humbjeve të bujshme elektorale, tregtarët e shpifjeve nxorën sot në pazarin e pistë të politikës së vjetër tezgën e komisionit hetimor. Qëllimi dihet: të mbysin me baltë njeriun që nuk e mundin dot me ide dhe argumente dhe modelin e suksesit të Bashkisë së Tiranës. I presim si gjithmonë me keqardhje për mjerimin e tyre moral dhe politik dhe jemi të bindur se më 28 qershor do të marrë fund politika e ulët e Sali Berishës, bashkë me karrierën e këtij komunisti primitiv”, - është shprehur dje për mediat nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi.

18 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›