E Diel, 1 Nëntor 2026

Pakujdesia, shpërthen gazi, plagosen punëtorët e një pike karburanti



Durrës – Shpërthimi i një bombole në një pikë gazi nga pakujdesia ka shkaktuar dy të plagosur mesditën e së premtes në Durrës. Burime nga policia bënë të ditur se shpërthimi i bombolës ndodhi në një pikë të shitjes së gazit, fare pranë mbikalimit të trenit në momentin që dy punonjës po pastronin bombolat. I plagosur rëndë në këtë incident është Vullnet Kotorri, me banim në Durrës, kurse plagë më të lehta ka marrë edhe punëtori tjetër, Gramoz Goga, edhe ai banues në qytetin bregdetar. Nga hetimet e para rezulton se ngjarja ka ndodhur në mënyrë aksidentale. Disa punëtorë gjendeshin në pikën e shitjes së karburantit dhe gazit të lëngshëm dhe dyshohet se nga pakujdesia kanë shkaktuar incidentin. Mësohet se Kotorri ka pësuar djegie të shkallës së lartë dhe gjendja e tij, edhe pas dërgimit të shpejtë në qendrën spitalore Durrës, mbetet e rëndë. Në vendngjarje shkuan forca policie si dhe nga reparti zjarrfikës dhe mësohet se nuk ka rrezik për precipitim të situatës.

Plagoset rëndë me thikë një 52-vjeçar, policia kap të dyshuarin

Shkodër – Një 52-vjeçar ka mbetur i plagosur pas një sulmi me thikë, ndërsa ndërhyrja policore mundësoi kapjen e të dyshuarit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje, pas mesditës, në lagjen “Partizani” të qytetit të Shkodrës, pikërisht në vendin e quajtur “Kryqëzimi i rusit”. Në këtë zonë, brenda një lokali privat, është plagosur me thikë, për motive të dobëta, 52-vjeçari Sejdin M., banues ne fshatin Shtoj, Komuna Rrethina Shkodër. Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të efektivave policore, është bërë i mundur identifikimi dhe kapja në flagrancë e autorit të dyshuar të ngjarjes, së bashku me armën e ftohtë, thikë, me të cilën është kryer krimi. 50-vjeçarit Ramiz Ivziku, banues nw fshatin Boriç i Madh, Rrethi Malësi e Madhe, i duhet të përballet tashmë me akuzën për plagosjen e rëndë me dashje. Ndërkohë, i plagosuri 52-vjeçar është dërguar në Spitalin Rajonal tw Shkodrws, ku po i jepet ndihma mjekësore dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

E godet pas koke, i vjedh paratë

Fushë-Krujë – Gazmend Merlika është arrestuar në flagrancë në Fushë-Krujë. Pasi ka dalë nga një lokal në gjendje të dehur, ai ka goditur me mjete të forta në kokë shtetasin Dilaver V. duke i marrë nga xhepi 40 mijë lekë. Burime policore thanë për gazetën se Merlika, me arsim vetëm 8 klasë, është i dënuar më parë për veprat penale të “armëmbajtjes pa leje” dhe “vjedhjes” së kryer në bashkëpunim. Gjithashtu, për ngjarjen e mësipërme është arrestuar edhe shtetasi Leonard Kasalla pasi ky ka qenë prezent në të gjitha veprimet e shtetasit Gazmend Merlika dhe jo vetëm që nuk ka ndërhyrë për ta shmangur ngjarjen, por edhe e ka mohuar atë.

Përplasen me makinë, tre të plagosur

Shijak – Dervisan Doku, lindur dhe banues në Sallmone të Shijakut, ka përplasur automjetin tip Benz –Kamioçinë, me targw KJ 7028 A, e drejtuar nga shtetasi Trifon Petro, 46 vjeç, banues në Kavajë. Ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor Shijak–Durrës, pranë Filantos. Doku në momentin e aksidentit ishte duke drejtuar një automjet Fiat Pounto, me targë BL 041381, pa leje drejtimi. Nga ky aksident janë dëmtuar dhe ndodhen në spitalin rajonal të qytetit shtetasit Trifon Petro, Dervisan Doku dhe I. H 16 vjeç, banues në Sallmone, i cili ishte pasagjer në mjetin e drejtuar nga Dervisani. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Durrësit për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimit të automjeteve në gjendje të dehur”, tw parashikuar nga Nenet 290 dhe 291 të Kodit Penal.

31 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›