E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, PS: Qeveria shkeli afatet e kontratës

 

Partia Socialiste akuzoi dje qeverinë se ka shkelur çdo afat kontraktor në lidhje me ngritjen e sistemit të aplikimit dhe shpërndarjes së kartave. Damian Gjiknuri, nënsekretar për çështje juridike tha dje se, “prodhimi i parë i kartës së ID duhej të ishte bërë 4 muaj nga lidhja e kontratës, pra në 20 dhjetor 2008, ndërkohë që ky prodhim u realizua vetëm në 10 shkurt 2009”. Shqetësim thelbësor për PS-në mbetet pajisja me karta e shtetasve që nuk kanë një pasaportë udhëtimi me jashtë. Duke iu referuar shifrave zyrtare të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë, nënsekretari ligjor i PS-së tha se rreth 730 mijë shtetas me të drejtë vote nuk disponojnë as kartë identiteti dhe as pasaportë, të vetmet mjete identifikimi për të votuar. “Një masë e tillë zgjedhësish përbën mbi 25% të zgjedhësve të mundshëm, shifër kjo e konsiderueshme për çdo rezultat zgjedhor”, tha Gjiknuri, duke shtuar se deri në këtë moment vetëm 100 mijë shtetas pa pasaportë kanë aplikuar për karta. Ai tha se subvencionimi nga qeveria i kësaj shtrese nuk i kalon të 6 milionë euro, para të cilat qeveria mund t’i nxjerrë nga TVSH-ja që vjel nga kompania koncesionare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›