E Diel, 1 Nëntor 2026

Leskaj: Karta falas, ose përshkallëzim qëndrimi

 

Kalendari i punimeve parlamentare lë jashtë nismën e PS-së për heqjen e pagesave për aplikimin për kartat e identitetit. Kalendari i punimeve të Kuvendit, që përfshin 27 marsin deri më 16 prill, nuk e përfshin shqyrtimin e një p/ligji të tillë. Kryetarja e grupit të PS-së, Valentina Leskaj e ngriti një shqetësim të tillë gjatë diskutimin të saj për marrëveshjet me NATO-n, duke shfrytëzuar njëkohësisht edhe praninë e ndërkombëtarëve. “Për shkak të situatës së krijuar me përgatitjet për zgjedhje, më vjen keq që duhet të them se: Ky parlament, duke filluar nga e hëna e ardhshme, duhet të përballet me kërkesën e opozitës për letërnjoftimet, në rast të kundërt opozita do të përshkallëzojë kundërshtinë e saj. Berisha duhet të kujtojë vitin 2007, kur megjithëse mund ta dëshironte shumë, nuk arriti dot t’i bënte zgjedhjet me certifikata false. Bëri zgjedhje në marrëveshje me opozitën, për standardin e certifikatave të lejueshme”, deklaroi Leskaj. Ajo shtoi se “këtë radhë askush nuk mund të na e heqë të drejtën e zgjedhjeve të lira e të ndershme, me karta të blera për të varfërit, nga “Fazlliçët e Kryeministrit” apo të falsifikuara, në skutat e Ballkanit. Pa u dhënë mundësinë të gjithëve të marrin kartën, Berisha nuk do ta ketë mundësinë as ta rimarrë më 28 qershor, e as ta mbajë pa zgjedhje pushtetin që ka”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›