E Diel, 1 Nëntor 2026

PS nuk propozon emra, KQZ krijon KZAZ pa socialistët

 

Partia Socialiste vazhdon të bllokojë procesin e ngritjes së 66 Komisioneve të Zonave Zgjedhore, duke mos paraqitur emrat e anëtarëve të saj. KQZ-ja në mbledhjen e djeshme të saj ka miratuar emrat e anëtarëve të KZAZ-së vetëm me emrat e paraqitur nga PD, PR, PSD dhe PR. Edhe pse ishte lajmëruar, në mbledhjen e djeshme ka munguar përfaqësuesi i PS-së, duke bërë që të mos diskutoheshin as emrat e anëtarëve socialistë në KZAZ. KQZ-ja ndërkohë ka lënë si një afat përfundimtar 28 marsin për të ngritur KZAZ në shkallë vendi. Në 33 prej këtyre komisioneve të nivelit të dytë, që janë ndër më të rëndësishëm, PS duhet të propozojë dy anëtarë, ndërsa gjysmën tjetër tre anëtarë, pasi ka maxhorancën në të. Ngritja në kohë e këtyre komisioneve do t’i krijonte mundësi KQZ-së që të niste procesin e trajnimeve të këtyre komisionerëve. Kreu i KQZ-së, Arben Ristani, tre ditë më parë i bëri thirrje publike PS-së, që të paraqiste sa më parë emrat e komisionerëve. Ndërsa vetë zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli tha se “mos paraqitja e anëtarëve do të pengonte procesin e trajnimeve”. “Nëse nuk do kemi reagim të menjëhershëm do kemi një shkelje të afateve ligjore, por në të njëjtë kohë shfaqje të gangrenës së vjetër të zbatimit të Kodit nga partitë politike”, tha Olli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›