AMC prezanton imazhin e ri, slogani: “E shohim botën si ti”
“E shohim botën si ti” është slogani i ri i AMC. Fushata e komunikimit filloi dje dhe shpreh pozicionimin e ri të AMC, i cili fokusohet tek abonentët e kompanisë dhe merr frymëzim nga bota e tyre. AMC, me këtë fushatë të re komunikimi, ripohon angazhimin afatgjatë në tregun e telekomunikacioneve dhe ndërmerr një tjetër hap për të qenë më pranë abonentëve dhe nevojave të tyre. AMC, me mesazhin “E shohim botën si ti”, që mbështetet në filozofinë e saj të orientimit drejt abonentit, vazhdon të ecë përpara me vizion dhe dinamikë, duke u mbështetur tek politikat bazë të kompanisë për të ofruar tarifa dhe oferta të leverdishme, shërbim të dedikuar ndaj abonentëve si dhe përdorim të teknologjisë më të fundit me të cilën kjo kompani operon në treg. Kjo është një strategji e qartë e paraqitur nëpërmjet imazhit të ri, me qëllim pozicionimin e veprimtarisë së saj edhe më afër nevojave të abonentëve. Edhe vetë fushata e re e komunikimit përcjell këtë mesazh. Reklama televizive paraqet botën e pritshme e parë nga sy të ndryshëm. Drejtori i Përgjithshëm i AMC, zoti Stefanos Oktapodas, deklaroi se: “Në një treg të maturuar dhe kërkues, ku depërtimi i telefonisë celulare e kalon shifrën 100 %, AMC e “shikon” botën me sytë e abonentëve të saj, kupton nevojat e tyre dhe përgjigjet me fleksibilitet dhe mprehtësi komerciale. Kështu ofron produkte konkurruese, shërbime të përparuara dhe shërbim cilësor ndaj abonentit. Synimi ynë është të forcojmë më tej këtë marrëdhënie ndershmërie dhe respekti që kemi vendosur me abonentët tanë. Dëshirojmë t’u ofrojmë më të mirën të gjithë abonentëve tanë”, shtoi zoti Oktapodas. AMC paraqet reklamën e re të saj, ku jepen pamje nga jeta e përditshme, të vrojtuara nga këndvështrime të ndryshme.