Banka Botërore: Shqipëria, rritje ekonomike me 2.2 %
Nertila Maho Banka Botërore ka publikuar një raport lidhur me perspektivën rajonale ekonomike. Nga përllogaritjet e kësaj banke, Shqipëria për vitin 2009 ka pasur një rritje ekonomike prej 2.2%, shifër kjo 4.3% më e ulët krahasuar me vitin 2008. Në një pasqyrim të rritjeve ekonomike ndër vite, vihet re se kjo është rritja më e ulët që njeh vendi ynë në 10 vitet e fundit. Lidhur me perspektivën, raporti thekson se do të ndjehen ende pasojat e krizës. Duke bërë një analizë të rajonit në total, Banka Botërore shpjegon se papunësia do të vazhdojë të qëndrojë e lartë si pasojë e kontraktimit ekonomik. Po kështu, në raport parashikohet një rënie më e theksuar e remitancave. “Impakti makroekonomik nga rënia e remitancave do të jetë më i madh në vende si Shqipëria, Armenia, Moldavia e Taxhikistani, ku remitancat përbëjnë një pjesë të rëndësishme të GDP-së”, thuhet shprehimisht në raport. Duke vazhduar me perspektivën, Banka Botërore parashikon se përmirësimi i rritjes ekonomike në rajon do të jetë e gjatë, e ngadaltë dhe e shoqëruar me një rritje të varfërimit. Rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto në një mesatare për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, ku përfshihet edhe Shqipëria, pritet që të jetë rreth 2.7% në vitin ku jemi. Në total raporti paraqet një panoramë jo shumë optimiste të zhvillimit ekonomik për vendet e rajonit, duke vënë theksin mbi efektet e krizës. INDEKSI I LIRISë EKONOMIKEShqipëria ka lirinë ekonomike më të lartë në rajon. Ky është konstatimi i fondacionit Heritage, në bashkëpunim me Wall Street Journal. Sipas të dhënave më të fundit, të publikuara për Indeksin e lirisë ekonomike për 2010-ën, vendi ynë është radhitur i 53-ti në radhë, nga 179 vende të botës. Me këtë renditje, Shqipëria krahasuar me vitin e kaluar ka pësuar një rritje prej 2.3 pikësh, duke shënuar përmirësim në lirinë e tregtisë, të drejtat mbi pronën dhe luftën ndaj korrupsionit, si dhe treguesit e punësimit. Për sa i përket radhitjes së saj në Evropë, vendi ynë është i 25-ti nga 43 vendet evropianë dhe totali i pikëve të saj është mbi mesataren botërore, me plot 66 pikë. Në Indeks theksohet se pavarësisht ngadalësimit të ekonomisë, Shqipëria ka ruajtur relativisht ritmin në stabilitetin e saj makroekonomik. Ka pasur një farë aktivizimi në përmirësimin e klimës së biznesit dhe investimeve. “Shqipëria ka tashmë një tarifë të fiksuar prej 10% si taksë individuale apo biznesi, si dhe reforma strukturore që kujdesen për rritjen e sektorit privat të cilat kanë çuar në rritjen e prodhimit dhe konsumit, të cilat gjithashtu kanë ulur nivelin e varfërisë. Liria ekonomike e Shqipërisë është e krahasueshme me atë të vendeve të tjera ballkanike në zhvillim, si Kroacia dhe Maqedonia. Liria fiskale, liria në investime dhe niveli i lirisë financiare, janë veçanërisht më të larta se nivelet e zakonshme. Gjithsesi treguesi i indeksit në total për Shqipërinë ulet nga treguesit e të drejtave mbi pronën dhe korrupsioni. Pastrimi i parave të pista është një problem i madh në ekonominë që bazohet mbi lekun “kesh”. Të drejtat mbi pronën shënojnë një tregues të ulët si rezultat i indiferencës politike në gjykim. dhjete pikat e vleresimit60.8 Liria e BiznesitDuke veçuar disa përmirësime, liria e biznesit në Shqipëri është e sforcuar nga ekzistenca e një rregullatori që e bën klimën jo shumë miqësore. Fillimi i një biznesi merr 5 ditë, në ndryshim nga mesatarja botërore që është 35 ditë. Të marrësh një licencë biznesi kërkon 24 procedura, në ndryshim nga mesatarja që është 18. Funksionimit të gjithçkaje i shtohen edhe 100 ditë më shumë se mesatarja që është 218. 85.8 Liria e tregtisë Norma e tarifës mesatare të peshës në 2008-ën ishte 2.1%. Taksat e importit mund të bazohen në listën e çmimeve të vendosura nga Qeveria, duke mos marrë këtu parasysh çmimin aktual. Një zbatim i dobët i të drejtave mbi pronësinë, kapacitet i papërshtatshëm tregtie dhe zvarritje burokratike administrative, që lë pezull tregtinë dhe rrit koston. 10 pikë janë zbritur nga liria e tregtisë në Shqipëri, si rezultat i barrierave pa tarifë. 92.6 Liria FiskaleNiveli i taksave në Shqipëri është i ulët. Të ardhurat personale dhe të korporatave taksohen me 10%. Taksat e tjera përfshijnë një taksë shtesë, siç është tatimi mbi vlerën e shtuar, një taksë mbi pronën dhe një taksë indirekte. Shumicën e viteve të shkuara të ardhurat nga taksat në përqindje të GDP-së ka qenë 23.3%.74.2 Shpenzimet qeveritareShpenzimet në total të shtetit, duke përfshirë konsumimin dhe transferimin e pagesave janë ulur. Në vitet e fundit shpenzimet qeveritare kanë qenë 23.9% e GDP-së. Privatizimi në sektorë strategjikë, si energjia dhe sigurimi janë plotësuar, por shfrytëzimet e ujit dhe telekomunikacionit kanë ngecur. Edhe pse deficiti fiskal ka qenë nën kontroll, borxhi publik është rritur në shifrat rreth 56% e GDP-së. 78.7 Liria monetareInflacioni ka qenë relativisht i ulët, me një mesatare 3.2%, nga 2006-ta deri në 2008-ën. Agjencitë rregullatore vazhdojnë vëzhgojnë çmimet dhe qeveria rriti pensionet dhe pagat në sektorët publikë në maj të 2009-ës, duke kundërshtuar këshillat e Fondit Monetar. Janë ulur 10 pikë nga liria monetare për ndërhyrjet në paga dhe çmime. 70.0 Liria e investimeve Kompanitë vendase dhe të huaja trajtohen njëlloj me ligj dhe pothuajse të gjithë sektorët janë të hapur për investimet e huaja. Të huajt nuk kanë të drejtë të blenë tokë bujqësore, por kanë të drejtë ta marrin me qira për 99 vjet. Ata mund të blenë gjithashtu prona tregtare, nëse investimi vlen sa trefishi i çmimit të tokës. Të huajt mund të zotërojnë 100% të kompanive shqiptare dhe qarkullimi monetar jashtë vendit është legal. Të huajt dhe vendasit mund të zotërojnë llogari me të tjera para, përveç lekut. Shteti mund të shpronësojë një aset apo investim për qëllime publike, por ka ligje që bëjnë kompensimin. Infrastruktura e papërshtatshme, një veprim i dobët i ligjit, të drejtat e përcaktuara dobët mbi pronën, burokracia e panevojshme dhe korrupsioni dekurajojnë investimet e huaja. 70.0 Liria FinanciareSektori financiar në Shqipëri është rritur shpejt. Sistemi bankar zotërohet në shumicë nga bankat e huaja, të cilat zotërojnë 90% të aseteve. Kjo ka çuar në rritje të konkurrencës dhe shërbim më të mirë. Rregullatorët supervizues janë detyruar të ruajnë stabilitet financiar. Në përgjigje të krizës financiare globale, Banka e Shqipërisë ka vepruar në rritjen e likuiditetit dhe ruajtjen e besimit në publik. Me pak ekspozim apo dhe me ekspozime jo direkte, të turbullimeve financiare në asetet ndërkombëtare, sistemi bankar në Shqipëri është treguar i aftë t’i qëndrojë shokut financiar me pak tronditje. 35.0 Të drejtat mbi pronësinëKushtetuta shqiptare përkufizon një sistem gjykimi të pavarur, por presioni politik, korrupsioni i përhapur, burimet e limituara dhe krimi i organizuar janë pengesat për efektivitetin e administratës së drejtësisë. Mbi të gjitha mbrojtja e të drejtave intelektuale është e dobët, edhe pse është bërë pak progres në pronat industriale. Regjistrimi i pronave është përmirësuar, por sigurimi i të drejtave mbi të është problem në zonat bregdetare ku ka potenciale për zhvillimin e turizmit. 34.0 Lufta ndaj korrupsionitKorrupsioni përcaktohet si i zgjeruar. Shqipëria radhitet e 84-ta nga 179 vendet në Indeksin e Korrupsionit të Transparency International në vitit 2008, një përmirësim i dukshëm krahasuar me 2007-ën, si rezultat i punës së Qeverisë në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Po kështu kjo ka ardhur si rezultat i reformave në administratën tatimore, regjistrimin e biznesit. Shqipëria është një vend transit në trafikimin e qenieve njerëzore, drogës dhe armëve. 52.1 Punësimi Rregullimi i tregut të punës ka dhënë një rritje produktive. Niveli i mos-pagesës me pagë bazë e një punonjësi dhe pushimi nga puna e punonjësve të tepërt është i lartë.