Kuvendi kthen ligjin për “Autoritetin e Aviacionit Civil”
Komisioni parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese i kthen mbrapsht ministrisë së Transportit, projektligjin “Për Autoritetin e Aviacionit Civil”. Shkak i këtij kthimit është bërë marrja e kompetencës nga kjo ministri e dhënies së licencës për ushtrimin e linjave ajrore të udhëtimit. Kryetari i këtij komisioni, Jemin Gjana e ka cilësuar si përplasje ligjore marrjen e kompetencës së dhënies së licencave, pasi një gjë e tillë është përcaktuar me një ligj të veçantë. “Duhet të rishikohet kjo përplasje, ndoshta ekspertët nuk janë në dijeni të një ligji të tillë. Prandaj kërkoj që të rishikohet”, theksoi Gjana. Vërejtjet e tjera kanë qenë edhe në lidhje për mënyrën e përdorimit të fondeve të posaçme, ku jepet e drejta Autoritetit të Aviacionit Civil, duke mos u firmosur nga ana e Ministrisë së Transportit. Përfaqësuesit e ministrisë kanë argumentuar një sanksionim të tillë, për shkak se “udhëtimi me linjat ajrore kanë një specifikë të posaçme dhe se fondet duhet të përdoren në çdo rast dhe se nuk përdoren sipas procedurës klasike”. Ekspertët kanë theksuar se një draft i tillë përafrohet me legjislacionin e vendeve të Bashkimit Evropian. Por, një gjë e tillë nuk i ka bindur deputetët e komisionit parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, të cilët i kanë kërkuar ekspertëve të ministrisë së Transportit të ripunojnë draftin duke marrë në konsideratë vërejtjet që bënë për projektligjin. Komisioni vendosi që ti lërë kohë deri të hënën e ardhshme Ministrisë së Transportit për të paraqitur draftin e ripunuar.