E Diel, 1 Nëntor 2026

AMC shpërndan dhurata për fëmijët jetimë dhe të moshuarit e vetmuar

Kompania AMC shpërndan dhurata me rastin e festive të fundvitit për fëmijët pa familje dhe të moshuarit e vetmuar. AMC, ashtu si çdo fundvit, do të jetë pranë fëmijëve të braktisur dhe të moshuarve të vetmuar. Atmosfera festive e krishtlindjeve dhe Vitit të ri, do të jetë e tillë edhe për banorët e Shtëpive të Foshnjës, Fëmijës dhe atyre të Moshuarve në të gjithë Shqipërinë, nga Shkodra deri në Sarandë. AMC përveç dhuratave për fëmijët dhe të moshuarit si dhe organizimin e darkave festive, do të kujdeset edhe për nevojat e veçanta të vetë institucioneve, për krijimin e kushteve sa më të mira të jetesës së banorëve të tyre. Drejtues dhe punonjës të AMC, do të festojnë gjatë këtyre ditëve së bashku me fëmijët jetimë dhe të moshuarit e vetmuar të pesë shtëpive të foshnjës, pesë shtëpive të fëmijës dhe shtatë qendrave për të moshuarit në të gjithë vendin. Kështu, grupi i AMC, i krijuar për këtë qëllim ishte pranë fëmijëve të Shtëpisë së Foshnjës në Tiranë, për tu kujdesur dhe luajtur me ta. Pjesëtar i këtij grupi ishte edhe vetë drejtori ekzekutiv i AMC, Stefanos Oktapodas. “Ne jemi sot këtu jo vetëm për t’i gëzuar me dhuratat e fundvitit, por edhe për të qëndruar e luajtur me ta, gjë për të cilën fëmijët e kësaj moshe kanë aq shumë nevojë. Dhe ju premtoj se këtë gjë unë dhe punonjësit e AMC do ta bëjmë shumë më shpesh gjatë vitit 2010, për të rritur në këtë mënyrë përgjegjshmërinë qytetare për shërbime në dobi të komunitetit. Ne, gjithashtu, do të mbështesim me të njëjtin përkushtim përmirësimin e kushteve të jetesës së këtyre fëmijëve”, - theksoi Oktapodas. Drejtuesit e këtij institucioni falënderuan AMC për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Shtëpisë së Foshnjës Tiranë si me dhuratat e përvitshme gjatë festave ashtu edhe me pajisje dhe materiale që përmirësojnë jetën e vogëlushe. Grupi i AMC do të vizitojë në ditët në vazhdim Shtëpitë e Foshnjës dhe të Fëmijëve në Tiranë Durrës, Shkodër Vlorë, Sarandë, dhe Korçë. Gjithashtu një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe të moshuarve në qendrat e Tiranës, Shkodrës, Kavajës, Fierit, Gjirokastrës dhe Sarandës. Si çdo fundvit, AMC do të jetë gjithashtu edhe pranë fëmijëve të policëve të rënë në krye të detyrës. Në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, AMC do të organizojë mbrëmjen festive posaçërisht për ta, plot me surpriza e dhurata. AMC ka përfshirë parimet e përgjegjësisë sociale në të gjitha strategjitë e saj, duke qenë gjithmonë pranë komunitetit dhe shtresave në nevojë. Edhe gjatë vitit 2010 AMC do të vazhdojë të japë kontributin e saj të gjithanshëm si në projekte sociale, ashtu edhe në aktivitete të ndryshme në vend.

Formulari i anketimit, mangësitë profesionale që kanë mjekët në spitale
MSH-ja, shpërndan formularin për të njohur mangësitë e bluzave të bardha
Masat, MSH do të marrë masa për trajnimin dhe specializimin e mjekëve
Emanuela Sako
Mjekët në Spitalet Rajonale do të raportojnë për gjendjen e tyre profesionale dhe mangësitë që kanë ata në profilet e tyre. Ministria e Shëndetësisë ka shpërndarë një formular në formën e anketimit, ku të gjithë mjekët dhe infermierët duhet ta plotësojnë për të dhënë të detajuar nevojat që kanë për t’u trajnuar në profilin përkatës. Kjo është një mënyrë e re që aplikohet nga Ministria e Shëndetësisë në mënyrë që të njohë kërkesat e personelit mjekësore në të gjithë vendin.
Trajnimet
Kjo është një masë që ka marrë Ministria e Shëndetësisë për të pasur staf sa më të kualifikuar në spitale. Prandaj, nisma fundit e MSH-së është menduar që të kualifikojë mjekët nëpërmjet pjesëmarrjes në trajnime në fusha të ndryshme. Nëpërmjet trajnimeve mjekët do të marrin njohuri shtesë nga ato që kanë dhe do të njihen me të rejat e fundit të shkencës dhe zhvillimet e fundit në botë, lidhur me fusha të caktuara të mjekësisë. Për më tepër, ky është një kriter kryesor për vlerësimin e mjekëve në spitale dhe për përfitimin e bonuseve. Anketa përmban të dhënat personale të mjekëve apo infermierëve, specializimin përkatës, titujt, pjesëmarrjen në trajnime të tjera dhe nevojat që kanë ata për të marrë pjesë në trajnime. Kjo do të shërbejë në një formë testi edhe për Ministrinë për të njohur pjesëmarrjen në aktivitetet mjekësore e shkencore të bluzave të bardha.
Rregullorja
Ministria e Shëndetësisë dhe ISKSH-ja, në reformën e shtrirë në 42 spitale të vendit, ka përcaktuar si kriter kryesor trajnimin e vazhdueshëm të mjekëve. Në bazë të kësaj rregulloreje, çdo mjek që kryen trajnime do të vlerësohet me pikë në bazë të referimeve dhe lëvrimit në një fushë të caktuar. Mjekët që do të vlerësohen do të përfitojnë bonuse, të cilat shpërndahen çdo tre muaj. Pavarësisht se një mjek apo infermier mund të ketë kryer specializime, pjesëmarrja në trajnime është kthyer në një rregullore të domosdoshme. Personeli mjekësor duhet të ndjekë edukimin e vazhdueshëm profesional nëpërmjet trajnimeve.

21 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›