Pagesa e papunësisë, ndryshojnë procedurat e marrjes së lekëve
Jonida Tashi
Ndryshojnë procedurat e tërheqjes së pagesës së papunësisë. Ndërsa deri sot përfituesit e kësaj pagese janë drejtuar pranë postës së caktuar për të marrë paratë, duke filluar që nga 1 janari i vitit 2010 tërheqja e lekëve do të bëhet në bankë. Qeveria ka vendosur të ndryshojë disa pika të udhëzimit në fuqi për “Pagesën e të ardhurës nga punësia”, që kanë të bëjnë me procedurën e marrjes së pagesës dhe ndryshimin e vendbanimit të personave që e përfitojnë. Më parë, e ardhura nga papunësia caktohej mujore dhe paguhej përpjesëtimisht me numrin e ditëve kalendarike, për kohën që përfituesi kishte të drejtë ta marrte këtë të ardhur. Pagesa jepej një herë në muaj pranë Alba-Postës, në bazë të marrëveshjes së datës 23.5.2001 ndërmjet Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe Alba-Post sh.a., në datat e caktuara. Ajo i jepej vetëm personit përfitues, duke u paraqitur pranë arkës me dokumentin e identifikimit.
Ndryshimet
Pikën e mësipërme të udhëzimit që përcaktonte mënyrën si caktohej dhe mënyrën e tërheqjes së pagesës së papunësisë, qeveria e ka riformuluar me përmbajtjen si më poshtë vijon: “E ardhura nga papunësia caktohet mujore dhe paguhet përpjesëtimisht me numrin e ditëve kalendarike, për kohën që përfituesi ka të drejtë ta marrë këtë të ardhur. Pagesa jepet një herë në muaj pranë bankës, pasi personi përfitues të jetë paraqitur në zyrën e punësimit. Ajo i jepet vetëm personit përfitues, përkundrejt paraqitjes në bankë të dokumentit të identifikimit ose kartës së debitit”. Po ashtu, qeveria ka riformuluar edhe një pikë tjetër të udhëzimit, që është ajo 21. Në rastet ku personi përfitues i së ardhurës nga papunësia ndryshon vendbanimin, pasi i është caktuar përfitimi i së ardhurës nga papunësia në vendbanimin e mëparshëm, me kërkesë të personit të interesuar, zyra përkatëse e punësimit bën transferimin e dosjes me dokumentacionin në zyrën e punësimit ku ka vendbanimin aktual personi. Pas kësaj pike është shtuar edhe një tjetër e re, në të cilin përcaktohet që: “Punëkërkuesi i papunë, i cili, në qendrën e fundit të punës e ka në juridiksionin e një zyre tjetër kompetente punësimi nga vendbanimi aktual, fillojnë procedurat për përfitimin e të ardhurës nga papunësia, pasi të ketë konfirmuar formularin e dyfishtë në organet e Sigurimeve Shoqërore, ku ka qenë qendra e fundit e punës së tij, ndërsa caktimi i përfitimit bëhet në zyrën e punësimit ku ka vendbanimin aktual.
Kushtet
Të ardhurën nga papunësia e përfitojnë personat që plotësojnë kushtet e mëposhtme: Të kenë kontribuar në sigurimin shoqëror për një periudhë të paktën 12-mujore, për çdo rast përfitimi; të jenë regjistruar si punëkërkues të papunë pranë zyrës përkatëse të punësimit; të kenë paraqitur kërkesën me shkrim dhe të kenë plotësuar dokumentacionin përkatës, brenda 60 ditëve nga data e lindjes të së drejtës, për t’i përfituar këto të ardhura (përjashtim nga ky rregull bëjnë rastet kur personat e papunë janë të sëmurë dhe e vërtetojnë vonesën e kërkesës me raport mjeko-ligjor); të jenë paraqitur në zyrën përkatëse të punësimit një herë në muaj ose sa herë që thirren nga kjo zyrë (në rast mosparaqitjeje, pa shkaqe objektive, humbasin të drejtën e përfitimit të këtyre të ardhurave); të pranojnë të punësohen, kur u ofrohet punë e paguar dhe e përshtatshme nga zyra përkatëse e punësimit; të pranojnë të kualifikohen ose të rikualifikohen kur u ofrohet nga zyra përkatëse e punësimit. Personave, të cilët plotësojnë kushtet e përcaktuara më sipër, u paguhet e ardhura e papunësisë: për 12 muaj, kur në çastin e lindjes të së drejtës për të përfituar të ardhurën nga papunësia, kanë kontribuar në sigurimin shoqëror për një periudhë prej 12 muajsh dhe nuk kanë përfituar asnjëherë të ardhur papunësie; për 10 muaj, kur kanë përfituar më parë të ardhura nga papunësia, për një periudhë prej 12-muajsh dhe për ta përfituar atë për herë të dytë, brenda një periudhe 24-mujore, aplikojnë pas përfundimit të përfitimit të parë; për 8 muaj, kur kanë përfituar më parë dy herë të ardhurën nga papunësia, për periudha kohore, respektivisht, për herë të parë 12 muaj dhe për herë të dytë 10 muaj, dhe për ta përfituar atë për herë të tretë, brenda një periudhe 24-mujore, aplikojnë pas përfundimit të përfitimit të dytë.
Pikat që kanë ndryshuar
Pika 13 e udhëzimit në fuqi ishte: E ardhura nga papunësia caktohet mujore dhe paguhet përpjesëtimisht me numrin e ditëve kalendarike për kohën që përfituesi ka të drejtë ta marrë këtë të ardhur. Pagesa jepet një herë në muaj pranë Alba-Postës në bazë të marrëveshjes së datës 23.5.2001 ndërmjet Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe Alba-Post sh.a., në datat e caktuara. Ajo i jepet vetëm personit përfitues, duke u paraqitur pranë arkës me dokumentin e identifikimit.
Bëhet
E ardhura nga papunësia caktohet mujore dhe paguhet përpjesëtimisht me numrin e ditëve kalendarike për kohën që përfituesi ka të drejtë ta marrë këtë të ardhur. Pagesa jepet një herë në muaj pranë bankës, pasi personi përfitues të jetë paraqitur në zyrën e punësimit. Ajo i jepet vetëm personit përfitues përkundrejt paraqitjes në bankë të dokumentit të identifikimit ose kartës së debitit.
Pika 21 e udhëzimit ishte: Në rastet ku personat përfitues të të ardhurave nga papunësia ndryshojnë vendbanimin apo kur qendra e fundit e punës i përket zonës së një zyre tjetër kompetente punësimi, ata janë të detyruar të fillojnë procedurat dhe caktimi i përfitimit të pagesës së papunësisë bëhet në zyrën e punësimit të rrethit ku ndodhet qendra e punës, e cila, pasi paguan përfitimin për një muaj, me kërkesë të personit të interesuar, bën transferimin zyrtar të dosjes me dokumentacionin përkatës.
Bëhet
Në rastet ku personi përfitues i së ardhurës nga papunësia ndryshon vendbanimin, pasi i është caktuar përfitimi i të ardhurës nga papunësia në vendbanimin e mëparshëm, me kërkesë të personit të interesuar, zyra përkatëse e punësimit bën transferimin e dosjes me dokumentacionin, në zyrën e punësimit ku ka vendbanimin aktual personi.
Pika që është shtuar
“Punëkërkuesi i papunë, i cili në qendrën e fundit të punës e ka në juridiksionin e një zyre tjetër kompetente punësimi nga vendbanimi aktual, fillojnë procedurat për përfitimin e të ardhurës nga papunësia pasi të ketë konfirmuar formularin e dyfishtë në organet e Sigurimeve Shoqërore, ku ka qenë qendra e fundit e punës së tij, ndërsa caktimi i përfitimit bëhet në zyrën e punësimit ku ka vendbanimin aktual.
Dokumentet për të përfituar pagesë papunësie
Personat, të cilët aplikojnë për të përfituar të ardhura nga papunësia, së bashku me kërkesën, duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm:
Librezë pune
Certifikatë personale me fotografi
Certifikatë gjendjeje familjare
Vërtetim nga dega e Tatim-Taksave se personi nuk është subjekt i regjistruar pranë këtyre organeve
Vërtetim për ndjekjen e shkollës, për fëmijët deri në 18 vjeç
Vërtetim për vazhdimin e studimeve të larta, për fëmijët deri 25 vjeç
Vërtetim nga KMCAP për deklarimin e paaftësisë për punë, për personat në ngarkim
Vërtetim nga organet e sigurimeve shoqërore, që njëri nga bashkëshortët nuk është përfitues pensioni të plotë
Vërtetim nga Kadastra, nëse ka tokë në pronësi
Kategoritë që përfitojnë pagesë papunësie
Në personat, të cilët plotësojnë kushtet e përcaktuara në për të përfituar të ardhurën nga papunësia përfshihen dhe:
Ushtarët e liruar nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak, të cilët detyrimisht para kryerjes së këtij shërbimi kanë qenë të siguruar për përfitim të së ardhurës nga papunësia për periudhën 12-mujore dhe ndërprerjen e punës e kanë për shkak të fillimit të këtij shërbimi.
Gratë, të cilat përfundojnë trajtimin me të ardhurën e barrë-lindjes (jo më parë se 42 ditë pas lindjes) dhe në momentin që kthehen në vendin e punës u ndërpritet marrëdhënia individuale e punës, të cilat detyrimisht kanë qenë të siguruara për përfitim të së ardhurës nga papunësia për periudhën 12-mujore përpara fillimit të përfitimit të të ardhurës për barrë-lindje.
Ushtarakët e liruar nga detyra dhe që nuk përfitojnë nga akte të tjera ligjore dhe nënligjore.
Personat, të cilët janë shkëputur nga puna për arsye të përfitimit të paaftësisë së përkohshme dhe pas mbarimit të kësaj periudhe në momentin që kthehen në vendin e punës, u ndërpritet marrëdhënia individuale e punës, të cilët detyrimisht kanë qenë të siguruar për përfitim të së ardhurës nga papunësia për periudhën 12-mujore përpara fillimit të përfitimit të paaftësisë së përkohshme në punë.
Të ardhurën nga papunësia nuk e përfitojnë personat të cilët:
Janë në marrëdhënie pune
Janë punëdhënës dhe të vetëpunësuar në qytet ose në fshat
Janë duke vuajtur dënimin me heqje lirie
Janë në përfitim pensioni pleqërie, invaliditeti apo familjar, përfitim paaftësie të përkohshme në punë, përfitim të ardhure barrë-lindje, përfitim nga aksident në punë apo sëmundje profesionale, përfitim ndihmë ekonomike
Pa argumente të arsyeshme nuk kanë pranuar të ndjekin programe punësimi, me pagesë të ofruara nga zyrat e punësimit, për aq kohë sa zgjasin këto programe punësimi
21 Dhjetor 2009