E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqata e Ndërtuesve: Qeveria të ndalë sulmet dhe të na kthejë borxhet

Reagon ashpër Shoqata e Ndërtuesve, e cila i bën thirrje qeverisë të ndalë sulmet mbi biznesin e lirë. Kjo shoqatë ka reaguar ditën e djeshme me anë të një prononcimi përpara mediave, pas sulmeve të njëpasnjëshme të kryeministrit Berisha. Kreu i qeverisë, me anë të deklaratave të tij të shpeshta nëpër media, ka etiketuar sipërmarrës të veçantë të ndërtimit si mafiozë dhe punistë. “Përfaqësuesve të veçantë të biznesit po u bëjnë etiketime të ndryshme për interesa të klimës së acaruar politike dhe jo në rrugë korrekte, administrative e ligjore. Mungon dëshira për dialog për zgjidhjen e problemeve, të cilat, më shumë se tonat, janë probleme ekonomike të vendit. Kërkojmë të ndërpritet arbitrariteti dhe në mënyrë të prerë qëndrimi ndaj biznesit të jetë vetëm ligjor. Etiketimet politike dhe joligjore dëmtojnë rëndë biznesin e klimën e tij, aq më tepër në kushtet e krizës reale”, - deklaroi Maksi Muçi, kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve. Sipas tyre, qeveria ende nuk i ka shlyer borxhet ndaj firmave që kanë kryer veprat publike; nga ana tjetër, nuk po mblidhet Këshilli i Rregullimit të Territorit dhe Plani Rregullues ka mbetur pezull. E gjithë kjo situatë ka sjellë që shumë firma nga fitimi të shkojnë në falimentim. “Për këtë falimentim përgjegjësi mban politika, e cila, në vend që të bashkëpunojë me biznesin për të gjetur zgjidhje, vijon me mospërfillje të konsumojë veten duke mos i dhënë zgjidhje biznesit”, - deklaroi Muçi. Ata shtuan se duhet të bëhet likuidimi total i detyrimeve ndaj firmave të ndërtimit të infrastrukturës, si dhe të merret në konsideratë borxhi i këtij viti ndaj këtyre firmave në planifikimin e objekteve të reja për vitin 2010. Gjatë aktivitetit kombëtar të ndërtuesve, bizneset kanë dalë në konkluzionin se klima aktuale ekonomike është e pasigurt për investime, ndërsa qeveria mbetet indiferente ndaj kërkesave të sipërmarrjes private. Shoqata e Ndërtuesve paralajmëron se nëse situata nuk gjen zgjidhje, ata do të ndërpresin një muaj punën. “Në rast të mosmbushjes së këtyre kërkesave, ne i propozojmë aktivit të marrë masa për ndërprerjen e punës për një muaj në kantiere; si rrjedhojë edhe mosderdhjen e asnjë detyrimi për këtë periudhë”, - mbyllën deklaratën e tyre përfaqësuesit e kësaj shoqate.

21 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›