E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masa e sigurisë, “Burg pa afat” për oficerin korrier droge

Feliks Rusto, oficeri i Flotës Detare, i akuzuar si korrier droge, është përballuar ditën e djeshme me Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku i është komunikuar masa e sigurisë e marrë në mungesë “arrest me burg”. Rusto është arrestuar vetëm disa ditë më parë, pasi ai dyshohej si korrier droge i vëllezërve Gjura, të cilët tashmë janë duke u përballur me gjykatën. Sipas policisë mësohet se oficer i lartë ushtrie ka rënë në prangat e policisë, pasi rezulton se ai është korrieri i një grupi kriminal që më datë 10 maj 2009 u janë sekuestruar rreth 8 kg lëndë narkotike të llojit heroinë. Rusto ka qenë me detyrë komandat i M/V 121 të Flotës Detare. Nga hetimet është arritur të provohet se oficeri i Flotës Detare, Feliks Rusto, ka shërbyer disa herë si korrier droge pranë grupit të përberë prej Enver Gjura, 66 vjeç, Oltion Gjura, 22 vjeç dhe Ermal Gjura, 20 vjeç. Hera e fundit që ai ka kryer këtë detyrë ka qenë transportimi i një sasie prej 8 kg heroinë, të cilën dyshohet se oficeri e ka marrë nga një qytet i vendit dhe e ka çuar atë në qytetin e Librazhdit. Shkaku se pse grupi i besonte Rustos ishte fakti se ky i fundit duke qenë oficer pranë Flotës Detare Durrës si dhe duke mbajtur të veshur uniformën ushtarake, ai nuk binte në sy nga efektivat e Policisë së Shtetit. Kjo ndihmonte të arrestuarin që gjatë transportimit të drogës ai të mos ndalohej nga shërbimet e Policisë Rrugore. Sapo çonte në destinacion mallin e porositur, oficeri i Forcave të Armatosura merrte nga tre bashkëpunëtorët e tjerë shumën financiare që i ishte garantuar. Ndërkohë që më pas, lënda narkotike përpunohej në një laborator në qytetin e Librazhdit dhe pasi ndahej në porcione të ndryshme, ajo përgatitej që të trafikohej në shtetin grek. Për të realizuar këtë qëllim, rrjeti kishte mundur të siguronte korrierë të tjerë, të cilët dyshohet se janë nga qyteti i Korçës, që mundësonin kalimin e heroinës në Greqi.

21 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›