Operacioni “Piramida”, pranga 26 personave të dyshuar për falsifikim monedhash, bllokohen 1.4 milionë lekë
Policia e kryeqytetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, kanë finalizuar ditën e djeshme operacionin “Piramida”, që çoi në arrestimin e 26 personave të dyshuar për prodhim dhe vënie në qarkullim të kartëmonedhave të falsifikuara, si dhe bllokimin e rreth 1.4 milionë lekësh të falsifikuara. Aksioni erdhi pas një pune intensive të këtyre strukturave, për një periudhë kohore prej 6 muajsh, u bë e mundur goditja e këtij grupi të strukturuar kriminal, i cili vepronte në qytetet: Tiranë, Durrës, Fier, Berat, Sarandë, Elbasan, Pogradec, Korçë, Shkodër dhe Kukës. “Në sajë të përdorimit të metodave speciale të hetimit është bërë i mundur dokumentimi i veprimtarisë dhe lidhjeve të shtetasve të implikuar në këtë veprimtari, si dhe gjetja e sekuestrimi i provave konkrete”, - konfirmoi policia. Këta shtetas dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për më shumë se një vit, kanë prodhuar kartëmonedha të falsifikuara të prerjeve 500, 1000, 2000, 5000 lekë të rinj. Nga hetimi i kryer ka rezultuar se këto kartëmonedha prodhoheshin në Tiranë, në afërsi të rrugës “5 Maji”, ku nga kontrolli i kryer janë gjetur pajisjet e nevojshme për këtë prodhim të jashtëligjshëm. Rezulton se këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer shpërndarjen e kartëmonedhave të falsifikuara, kryesisht në Tiranë, në qendrat spitalore dhe në subjekte e biznese private. Policia tha se gjatë punës 6-mujore, për finalizimin me sukses të këtij operacioni, nga strukturat Seksionit të Krimit Ekonomik Financiar në Drejtorinë e Policisë së Tiranë dhe Njësisë së Task-Forcë, pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, janë kryer veprime hetimore në të gjithë territorin ku këta shtetas kanë realizuar shpërndarjen e kartëmonedhave. “Grupi i punës i angazhuar me këtë hetim ka punuar me profesionalizëm dhe me përkushtim duke aplikuar të gjitha format dhe metodat speciale të hetimit, punë e cila mundësoi realizimin me sukses të këtij operacioni”, - konfirmoi zëdhënësja Alma Katragjini. Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan shuma e parave prej 1.4 milionë lekësh, kartëmonedha të falsifikuara të prerjeve 1000, 2000, 5000 lekë, kompjuterë desktop dhe kompjuterë laptop, të cilët shërbenin për përpunimin e kartëmonedhave të skanuara, printer dhe skaner me rezolucion të lartë, të cilat shërbenin për printimin e prodhimin e kartëmonedhave të falsifikuara, makineri për prerjen e kartëmonedhave të falsifikuara, USB, i cili përmbante materialet e krijuara për realizimin e kësaj veprimtarie, fishekë të kalibrave të ndryshëm, një armë zjarri e llojit pushkë, maska të ngjashme me ato të Forcave Speciale, një sasi e konsiderueshme të kartave telefoni prej 400 numrash, rreth 100 aparate celular. “Për veprimtarinë e kryer nga këta shtetas janë marrë mbi 100 kallëzime nga qytetarë të ndryshëm, ndërkohë që ftojmë qytetarët e dëmtuar nga këto shtetas të paraqiten, për të kallëzuar pranë Seksionit Kundër Krimit Ekonomik Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë”, - mbylli deklaratën e saj Katragjini.
Personat e ndaluar dhe të arrestuar
Altin Baftjar Lala, 30 vjeç, banues në Tiranë
Besnik Shaqir Gaçi, 27 vjeç, banues në Tiranë
Avdi Kujtim Gjika, 24 vjeç, banues në Tiranë
Sali Ramiz Prendi, 23 vjeç, banues në Tiranë
Dritan Safet Elezaj, 25 vjeç, banues në Tiranë
A. C., 16 vjeç, banues në Tiranë
Bilbil Shaban Sefa, 31 vjeç, banues në Tiranë
Dëfrim Ymer Mata, 21 vjeç, banues në Tiranë
Anila Dalip Kodra, 18 vjeç, banues në Tiranë
Roland Qani Skuqi, 23 vjeç, banues në Tiranë
Altin Zeqir Murani, 25 vjeç, banues në Tiranë
Aben Fran Seferi, 27 vjeç, banues në Tiranë
Astrit Fran Seferi, 24 vjeç, banues në Tiranë
Aristogon Elez Pashka, 22 vjeç, banues në Tiranë
Artur Elez Pashka, 21 vjeç, banues në Tiranë
Eduart Elez Pashka, 24 vjeç, banues në Tiranë
Shpetim Memish Mataj, 22 vjeç, banues në Tiranë
Artan Emri Halilaj, 21 vjeç, banues në Tiranë
Alfren Ndue Bushgjokaj, 26 vjeç, banues në Tiranë
Xhevahir Mersin Koldashi, 21 vjeç, banues në Tiranë
Gazmend Cerpja, 27 vjeç, banues në Tiranë
Ahmet Meci, 22 vjeç, banues në Tiranë
Muhamd Murrani, 20 vjeç, banues në Tiranë
E. D., 17 vjeç, banues në Tiranë
E. I., 17 vjeç, banues në Tiranë
Caktohet seanca e parë për Dritan Dajtin
Vrasësi i 4 policëve do të përballet me gjykatën më datë 29 dhjetor
Dritan Dajti, Erges Xhoxhi dhe Mariglen Muçaj do të përballen për herë të parë me gjykatën më datë 29 dhjetor. Këtë datë ka caktuar gjyqtarja e kësaj çështje Nertina Kosova, për fillimin e procesit gjyqësor në ngarkim të tre të pandehurve të akuzuar për ngjarjen e 7 gushtit, ku mbetën të vrarë katër efektivë policie në tentativë për arrestimin e të shumëkërkuarit Dritan Dajti. Vetëm një javë më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi hetimet lidhur me tre të pandehurit dhe e dërgoi atë në gjykatë. Sipas kërkesës për gjykim, Dritan Dajti akuzohet për vrasje në rrethana të tjera cilësuese ndaj punonjësve të policisë, Fatos Xhani, Kastriot Feskaj, Sajmir Duçkollari dhe Altin Dizdari, vrasjen e Ledjon Marës, mbajtjen pa leje të armëve luftarake, falsifikimin e dokumenteve, mbajtja pa të drejtë e uniformës, duke mbajtur dokumente dhe shenja dalluese të Policisë së Shtetit si dhe falsifikimin e vulave dhe stampave. Ndërsa mbi kunatin e tij, Erges Xhoxhi, rëndon akuza e falsifikimit të dokumenteve. Por, në një situatë të rënduar ndodhet dhe efektivi i policisë, Mariglen Muçaj, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”, pasi dyshohet se ai ka qenë një nga bashkëpunëtorët e Dajtit gjatë kohës që ky i fundit ka qenë në arrati. Ngjarja për të cilën Dajti dhe dy të pandehurit e tjerë akuzohen daton më 7 gusht të këtij viti, ku Grupi i Operacioneve Speciale ishte duke zhvilluar një aksion për arrestimin e tij. Gjatë këtij aksioni, Dajti, në tentativë për t’i shpëtuar arrestimit, ka qëlluar mbi policët duke lënë të vdekur 4 prej tyre, si dhe Ledjon Marën, i cili ishte në të njëjtën makinë me të. Gjatë gjithë fazës së hetimeve, Dajti është munduar të ngre alibinë e tij se nuk i kishte njohur personat që ishin oficerë policie dhe ka qëlluar në drejtim të tyre duke pretenduar se ishin “armiqtë” e tij, por kjo alibi është rrëzuar nga deklarimet e kunatit të tij, i cili përpara prokurorëve ka deklaruar se “Dritan Dajti ka qëlluar mbi policin në momentin që ai ishte duke më arrestuar mua”.
Tashmë pritet që më datë 29 dhjetor, në Gjykatën e Krimeve të Rënda të çelet procesi gjyqësor për një nga ngjarjet më të rënda të viteve të fundit, por ende është në dyshim pjesëmarrja Dritan Dajtit në të, për shkak të plumbit që ka ende në trup.
Apeli lë në fuqi dënimin e “Ben Çamit” dhe bashkëpunëtorëve të tij
6 trafikantët e lëndëve narkotike dënohen me 34 vite burg
Apeli i Krimeve të Rënda lë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, duke dënuar me 34 vite burg grupin e “Ben Çamit”, të akuzuar për trafik të lëndëve narkotike. Në bazë të këtij vendimi, Lutfi Shabani, i njohur ndryshe dhe si Arben Shalaj, dënohet me 8 vite burg, me 6 vite burg dënohet Isein Nasufi dhe me nga 5 vite burg dënohen katër bashkëpunëtorët e tjerë, Dritan Gjura, Madrid Istrefi, Françesk Shkambi dhe Arif Kurti. Sipas hetimeve të organit të akuzës dhe sipas vendimit të gjykatës, mësohet se 6 të pandehurit, të drejtuar nga Lutfi Shabani, i njohur gjithashtu edhe me emrin Arben Shalaj, kanë sjellë së bashku në kohë të ndryshme, nga Maqedonia në Shqipëri rreth 54 kg heroinë. Kjo sasi droge mësohet se është sekuestruar nga autoritetet e policisë shqiptare në dy raste, në muajin korrik dhe shtator të vitit 2008. Në këto dy raste janë arrestuar të pandehurit Lutfi Shabani, Isein Nasufi, Dritan Gjura, Madrit Istrefi, Françesk Shkambi dhe Arif Kurti. Ata po transportonin nga Maqedonia në Shqipëri rreth 20 kg heroinë. Në dy raste të tjera, goditja është kryer nga autoritetet italiane, pasi në muajin maj të vitit 2004 janë sekuestruar 34 kg heroinë që po transportoheshin nga 5 korrierët, Nevruz Shabani, Elton Nikocaj, Feti Ramadani, Bashkim Hiseni dhe Ilirjan Çipo, të cilët janë arrestuar dhe gjykuar në Milano të Italisë. Organi i akuzës është shprehur gjatë gjykimit në Shkallë të Parë se një pjesë e dosjes me dy episodet e sekuestrimit të 34 kg heroinë ka ardhur nga shteti fqinj, ku është provuar se pronar i kësaj sasie droge ishte Ben Çami. Dosja tjetër penale me dy rastet e sekuestrimit të rreth 20 kg heroinë, është proceduar nga vetë prokurorët e Krimeve të Rënda, të cilët kanë faktuar se edhe në këtë rast pronari i mallit ishte i pandehuri Lutfi Shabani. i njohur edhe me emrin Arben Shalaj apo pseudonimin Ben Çami.
21 Dhjetor 2009