Pyetësori për në BE, MASH do të përgjigjet për dy kapituj
Pyetësori që pak ditë më parë ra në duart e kryeministrit Berisha, është shpërndarë në linjat përkatëse ministrore. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj ka mbledhur administratën për të përgatitur profesionalisht përgjigjet e duhura për pjesën e arsimit dhe shkencës në vend. Ai do të konsultohet me gjithë botën akademike shqiptare për të konkluduar në përgjigjet korrekte të pyetësorit. Tafaj kërkoi angazhimin maksimal të administratës që ai drejton për të përgatitur përgjigjet për pyetësorin që Bashkimi Europian i ka dërguar Shqipërisë. Në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës u zhvillua një takim pune me të gjithë drejtuesit dhe specialistët për të komunikuar mënyrat se si do të punohet mbi pyetësorin. Ministri Tafaj vlerësoi se ky pyetësor na jep mundësinë për të reflektuar për të gjitha reformat e rëndësishme që janë bërë deri tani në arsim dhe shkencë. Për përgatitjen e pyetësorit do të angazhohen ekspertët më të mirë të Universiteteve publike dhe private, si edhe pjesëmarrës nga shoqëria publike dhe private. “MASH do të përmbushë dy kapituj nga pyetësori i BE-së. Jemi të parapërgatitur për gjithçka, pasi kemi eksperiencën e mëparshme të fqinjëve tanë për këtë pyetësor, por puna do të jetë intensive dhe e bazuar në reformat në arsim e shkencë.”-tha Z. Tafaj “Shumë pyetje kanë të bëjnë me rolin që organet këshillimore dhe agjencitë e ndryshme luajnë në reformat e MASH. Dhe në këtë pikë rezultatet janë shumë të mira. Gjithë peizazhi krijon mundësi të plota për të dhënë përgjigje në mënyrë sa më korrekte, pyetësorit të BE-së dhe për të treguar që në Shqipëri reformat janë realizuar sipas standardeve europiane.”- deklaroi ministri Tafaj. Ndihmë tjetër e rëndësishme për plotësimin e pyetësorit është dhe fakti që 4 strategjitë e arsimit të hartuar gjatë kësaj periudhe kanë pasur asistencën e ekspertëve të huaj të arsimit. Pas dorëzimit të pyetësorit për qeverinë shqiptare, nga shefi i zyrës së Komisionit Europian në Tiranë, është deklaruar se ky pyetësor do të plotësohet nga ekspertët shqiptarë, brenda datës 31 mars të vitit 2010.
Shamku: “Berisha, jepu shkollën 150 fëmijëve të Grudës ose largohu”
Deputetja e Partisë Socialiste, Ledi Shamku, i është drejtuar kryeministrit me tone të ashpra për përmirësimin e kushteve të nxënësve në zonën e Malësisë së Madhe. Ajo reagoi ndaj protestës së bërë nga 50 familje, fëmijët e të cilëve nuk mund të shkojnë në shkollë për shkak largësisë dhe mungesës së rrugëve. Bëhet fjalë për 150 fëmijë të fshatit Grudë, të cilët nuk mund të ndjekin shkollën. “Në Grudë të Malësisë së Madhe protestuan dje 50 familje, ose mbi 200 shqiptarë. Shkak qe tallja e radhës e Jozefinës dhe Saliut, për fondet e rrugëve rurale. Dy rrugë që lidhin Grudën e skajshme me qendrat e banuara nuk janë shtruar. Fondet edhe pse janë çelur, nuk kanë mbërritur kurrë në destinacion. Mashtrimi i radhës i qeverisë për këta shqiptarë. Mashtrimi i radhës i qeverisë për 6 mijë kilometrat e rrjetit rrugor që u nuk bënë kurrë. Ndaj ne i bëjmë apel Jozefinës dhe shefit të saj Saliut, të mos tallen më me banorët e Grudës, por të shtrojnë rrugët ose të largohen”, - theksoi Shamku.
21 Dhjetor 2009